E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duam toka në bregdet

Qindra te permbytur nga liqeni i Ulzes protestojne dhe kerkojne te demshperblehen duke marre territore ne zona fushore

BURREL - Qindra banorë të Ulzës dhe të komunës së Rukajatës protestuan dje në qendër të qytezës së Ulzës, ndërsa paralajmëruan nisjen e protestave para Kryeministrisë, si edhe futjen në grevë urie, nëse problemi i tokave të tyre të përmbytura në vitin 1957 gjatë ndërtimit të hidrocentralit nuk gjen zgjidhje. Protestuesit u përkrahën në kërkesat e tyre edhe nga kryetari i komunës së Ulzës, Pal Coku. Konkretisht, banorët kërkojnë kompensimin e tokave të përmbytura, duke marrë pjesë në privatizimin e hidrocentrali të Ulzës dhe në privatizimin e sektorit të shpërndarjes së energjisë elektrike që prodhohet nga objektet që janë ngritur mbi  tokat e tyre. “Për më tepër, të mos lejohet fillimi i procedurave të  privatizimit të hidrocentraleve pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të pronarëve të ligjshëm të tokave të përmbytura, ose të kompensohemi me të ardhurat që nxjerr sot prodhimi i energjisë nga hidrocentralet, në të kundër të kompensohemi me toka në bregdet”, parashtruan protestuesit. Sipas tyre, tokat e përmbytura duhet të klasifikohen në caktimin e çmimit në bazë të ligjit të ri, pra si “truall industrial”, e për rrjedhojë çmimi duhet të llogaritet me vlerën e tokave të kategorisë së parë, ose me vlerën e tokave në vendet turistike, si në bregdet. Në parullat e hedhura gjatë protestës u kërkua edhe dorëheqja e kreut të Agjencisë Qendrore të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Besnik Maho. Mark Lala, kryetar i Shoqatës së ish-Pronarëve të Tokave të Përmbytura tha në tubim, se “pronarët e tokave të përmbytura kanë 17 vjet që vazhdojnë odisenë e kërkesave për t’u kompensuar në mënyrë të drejtë, por fatkeqësisht kjo gjë nuk po realizohet, për shkak të mosfunksionimit normal të strukturave shtetërore, si dhe mangësive të një legjislacioni të plotë dhe rregullave bashkëvepruese të institucioneve ndërmjet tyre”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›