E Shtunë, 31 Tetor 2026

KESH-i nxjerr në dritë KEK-un

Shqipëria po ndihmon duke depozituar energji në Kosovë, reduktimet gati eliminohen tërësisht

Korporata Energjetike Shqiptare po depoziton 200 MW orë energji elektrike në Korporatën Energjetike të Kosovës, për shkak të tepricave të prodhimit në hidrocentralet në vend. Lajmin e publikoi agjencia “Kosovalive” në Kosovë. Sipas agjencisë, kjo energji do t’i kthehet Shqipërisë gjatë kohës së verës, kur pakësojnë ujin hidrocentralet shqiptare, ndërsa KEK-u atëherë mund të ketë teprica të energjisë. Zëdhënësi i KEK-ut, Nezir Sinani, i tha agjencisë në Prishtinë dje, se kjo ndihmë nga KESH-i i ka mundësuar KEK-ut që qytetarët e kategorisë A dhe B t’i furnizojë me energji elektrike pa ndërprerje, ndërsa për konsumatorët e kategorisë C do të ketë ndërprerje të shkurtër të energjisë në orët e mbrëmjes.

Sinani tha gjithashtu, se ndërprerja e energjisë elektrike për kategorinë C vjen për shkak të motit të ftohtë dhe me shi, ndërsa në momentin kur do të përmirësohet koha, atëherë edhe kjo kategori do të ketë furnizim të rregullt me energji elektrike. KEK-u ka njoftuar publikun, që mbrëmë, më 15 prill 2008, në mesnatë është ndalur nga puna blloku A4 i TC “Kosova A”. Kjo ndalje është bërë me plan dhe është bërë falë bashkëpunimit të ngushtë të KEK-ut me Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). Sinani tha se blloku A4 është nxjerrë nga prodhimi, me qëllim që të kursehet thëngjilli dhe në momentin kur KESH-i ndërpret furnizimin me energji, atëherë do të hyjë në funksion blloku A4 dhe nuk do të ndihet shumë mungesa e energjisë. Në orët e pasdites së djeshme, KEK-u është kontaktuar nga KESH-i dhe është njoftuar për prurjet e shumta të ujit në kaskadën e lumit Drin. Kjo ka sjellë KESH-in në një pozitë për të prodhuar më shumë energji elektrike se zakonisht. Me këtë rast, në mënyrë që mos të humbet uji i mbledhur në kaskadën e Drinit, KESH-i i ka ofruar KEK-ut deponim të 200 MW energji për nevoja të konsumit kosovar. Kjo energji është pranuar nga KEK-u dhe është duke u importuar në baza të shkëmbimit. Kjo marrëveshje do të zgjasë deri në fund të muajit prill 2008, përderisa këtë energji KEK-u do ta kthejë në një kohë kur ekzistojnë mundësitë teknike dhe kur Shqipëria të ketë nevojë për energji. Ndryshe, kjo marrëveshje pasqyron bashkëpunimin e ngushtë të KEK-ut me KESH-in dhe njëherësh edhe vënë në pah rëndësia e sinkronizimit të punëve të sistemeve energjetike për një stabilitet më të lartë të sistemit energjetik vendor dhe rajonal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›