E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Lushnjës rrëmbente dhe vendoste bomba

Procesi
Dëshmitarët Rasim Nexhi dhe Albert çela: Stërgu dhe Gina, dy ushtarët e betuar të Aldo Bares

"Banda e Lushnjës vendoste bomba dhe rrëmbente persona”. Prokuroria ka lexuar dje deklarimet e forta të dy dëshmitarëve në Gjykatën e Krimeve të Rënda, Rasim Nexhi dhe Albert çela, të cilët deklaruan se Ilir Stërgu dhe Rexhep Gina ishin dy ushtarët e betuar të Aldo Bares. Ata kanë shpjeguar mënyrën e vendosjes së bombës në lokalin e Faslli Korreshit. Dëshmitari i parë ishte Rasim Nexhi, i cili ka pasur dijeni për marrjen peng të djalit të tezes së tij, Mirko Gjerveni. Pasi ka dhënë disa shpjegime që për akuzën kanë qenë të dobëta, Rasim Nexhi është përballur me deklarimet që ka bërë në policinë gjyqësore menjëherë pas ngjarjes. Ai është shprehur se një ditë ka parë Mirkon, duke vrapuar dhe e ka pyetur përse po vraponte. Ai i ishte përgjigjur se po e ndiqnin disa persona të cilët donin ta merrnin peng. Më tej dëshmitari shprehet se i ka thënë Mirkos të shkonte në shtëpi, pasi ai vetë do të pinte një kafe në lokal. “Kur shkova në lokal, kam parë një person të veshur me rroba të errëta, i cili çalonte. Ishte larg meje rreth 200 metra, kur takova Mirkon. Kur unë vajta te lokali, ky person u largua. Kur vajta në shtëpi, Mirko më tregoi se donin ta merrnin peng për një gërvishtje makine. Pasdite pashë Mirkon që po e merrnin dhe po e çonin në polici”. Dëshmitari i dytë ishte Albert çela. Ai deklaroi se Ilir Stergu, së bashku me disa persona të tjerë e kanë kërkuar për ditë me radhë Mirko Gjervenin. Dëshmitari i ka dhënë Mirkos mbesën e tij për grua. Dëshmitari ka deklaruar se Mirko kishte probleme me disa djem nga Bulqiza. “Kam qenë një ditë në Plug, kur disa persona erdhën më ndaluan dhe më pyetën për Mirkon. Unë i thashë se nuk është këtu, por do e lajmëroja kur ta takoja. Ata djemtë më thanë se e njihnin Ilir Stërgun. Pak më vonë kishte ardhur një djalë së bashku me Ilir Stërgun dhe e kishin ftuar për kafe. Iliri ishte prezantuar dhe i kishte thënë se shoku i tij kishte një problem me Mirkon”, deklaroi Albert çela. Po dje prokuroria ka lexuar deklarimet e bëra në policinë gjyqësore nga dëshmitari Faslli Korreshi, i cili ka pasur probleme me Rexhep Ginën. Dëshmitari kishte në posedim një kioskë në Lushnjë, të cilën do ta prishte për të ndërtuar sipër dhe dy kate të tjera. Ndërkohë, Rexhep Gina i kishte kërkuar që të merrte dy katet e sipërme dhe Faslliu të mbante lokalin. Ai nuk ka pranuar. Në këtë kohë kanë filluar dhe kërcënimet si për të, ashtu dhe për familjarët. Madje një ditë edhe nëna e Rexhep Ginës kishte shkuar në lokal dhe u kishte thënë se “ju duheni vrarë”. E pas një nate në lokal ka shkuar vëllai i Rexhepit me bashkëshorten dhe i kanë kërcënuar: “Do ta shihni se çdo t’u bëjmë këtë natë”. Faslliu ka mbyllur lokalin dhe ka ndenjur te shtëpia e një shoku që kishte një ballkon që shikonte mbi lokal. Ka parë Rexhep Ginën së bashku me dy persona të tjerë, të cilët mbanin një pako në dorë. Pasi ata janë larguar, lokali është hedhur në erë. Ata i kishin vënë eksploziv.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›