Parandaluan krimin, shkarkohen
• Parandaluan një vrasje në mes të qytetit të Elbasanit, por shkarkohen nga detyra.ELBASAN/ ALDO KOZARJADy agjentëve të komisariatit të policisë së qytetit fillimisht u është komunikuar përjashtimin nga radhët e uniformave blu, ndërsa urdhri i dytë i ka kaluar në degën e objekteve. Gjithçka ka ndodhur brenda më pak se 10 ditësh për Tomorr Molin dhe Luan Duzhën, të cilët kanë vendosur që ta ndjekin çështjen në institucione të larta. Historia për të cilën sakrifikuan detyrën ndodhi mesditën e 6 marsit. Ndërsa dy agjentët po kalonin në afërsi të qendrës së qytetit papritur kanë evidentuar se tre persona ishin duke u zënë me njëri-tjetrin. Menjëherë ata kanë zbritur nga makina dhe kanë ndërhyrë për të qetësuar situatën. Më pas kanë lajmëruar shërbimet e tjera të policisë, të cilat kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje. Nga hetimet ka rezultuar se nuk bëhej fjalë për një zënkë të thjeshtë, por për parandalimin e një vrasjeje, pasi një prej protagonistëve ishte i armatosur me një automatik kallashnikov. Pas ngjarjes, dy punonjësit e policisë pohojnë se kanë shkuar në komisariat dhe kanë bërë raportet e shërbimit mbi atë që kishte ndodhur. Por, rreth mesnatës ata janë kërkuar të shkonin urgjentisht në komisariatin e policisë. “Eprorët, pikërisht shefi i krimeve të rënda na kërkoi që të bënim një deklarim. Ne e kundërshtuam, pasi kishim përgatitur raportin e shërbimit, por presioni vazhdoi, duke kërcënuar se në të kundërt do të shkarkoheshim nga detyra”. Të nesërmen, dy agjentët kanë shkuar në Prokurori, ku janë konsultuar me specialistë të akuzës për çfarë u kishin kërkuar eprorët. “Prokurori na tha se meqë keni bërë raport shërbimi nuk keni pse të bëni deklarim. Ju nuk jeni dëshmitarë dhe kësisoj nuk keni pse të deklaronin në polici, por një gjë të tillë e ka të drejtë sipas ligjit Prokuroria dhe gjykata”, tregon agjenti Moli. Siç pohojnë dy efektivat e policisë, më 8 mars ata kanë kërkuar sqarime nga drejtori i policisë, Arben Hyseni. “Por, prej tij u përzumë nga zyra sikur të ishim kriminelë dhe jo parandalues të krimeve. Nuk kishim tjetër ku të përplaseshim dhe kemi përgatitur një letër-ankesë më 12 mars drejtuar kryeministrit, z.Sali Berisha”, pohojnë ata. Sipas Molit dhe Duzhës, pasi drejtuesit e policisë kanë mësuar për këtë letër urdhëruan rikthimin në detyrë, por tashmë në degën e ruajtjes së objekteve. Agjenti Tomorr Moli thekson se me këtë veprim që kanë bërë ndaj tyre është prishur jo vetëm imazhi i tyre por dhe ai i Policisë së Shtetit. “Ne do të kryejmë denoncim dhe në SHKB dhe në institucionet e tjera deri sa të kthejmë dinjitetin tonë në vend. Ne jemi punonjës policie dhe normalisht do të punojmë aty ku ka nevojë shteti dhe policia, por jo të diskriminohemi në këtë mënyrë”, përfunduan dy punonjësit e policisë.Ngjarja e 6 marsitELBASAN - Në një njoftim për shtyp zëdhënësi i policisë së Qarkut Elbasan, Saimir Koçia, ka njoftuar se Flamur Berhami, 39 vjeç është parandaluar pak momente para se të qëllonte mbi shtetasin S.S. Konflikti mes dy shtetasve nga qyteti i Elbasanit ka ndodhur për motive të dobëta. Pakujdesia e drejtuesve të mjeteve ka shkaktuar përplasjen mes mjeteve të tyre, gjë që ka degraduar më pas në sherr me njëri-tjetrin. Pas marrjes së informacionit për të parandaluar krimin që mund të ndodhte, efektivët e policisë kanë organizuar menjëherë aksionin e tyre, duke bërë që të dështojë kjo tentativë për vrasje. Autorit Berhami i është bllokuar arma “Kallashnikov” në momentin që ai do të qëllonte mbi personin tjetër me inicialet S.S.