E Diel, 1 Nëntor 2026

"Duam pronat në Porto Romano, ose do të flijohemi"

Shoqata e familjeve të përmbytura nga hidrocentrali i Fierzës, e frikësuar nga ndonjë "manovër qeveritare" siç thanë, për të zvarritur edhe më tej çështjen e dëmshpërblimit për tokat nën ujë, ka zhvilluar një takim "paralajmërues" me prefektin e Kukësit, Qamil Cenalia. "Na ndihmoni, ose ne do ta bëjmë tonën, do të ngujohemi në grevë urie për të vdekur", ishte qëndrimi i përfaqësuesve të shoqatës. Frika për të ardhmen e ish-pronave të tyre e ka burimin te vendimi i qeverisë i disa muajve më parë për ndërtimin në zonën e ish-kënetës në Durrës të një parku industrial. Në këtë park industrial, qindra familje kanë tokat dhe shtëpitë e dhëna nga shteti vite më parë, por që ende nuk janë pajisur me certifikatë pronësie. Ish të përmbyturit janë frikësuar edhe më tepër pas një njoftimi, sipas të cilit në qeveri është krijuar një komision pranë Ministrisë së Bujqësisë për verifikimin e titujve të pronësisë. Një tjetër problem, sipas shoqatës, lidhet me Prefekturën e Durrësit, e cila zvarrit dhënien e certifikatave të pronësisë. Përmbytja në vitin 1978 përfshiu qytetin dhe 30 fshatra të Kukësit dhe rretheve Has, Tropojë e Pukë. Për ndërtimin e Hidrocentralit të Fierzës në atë kohë u shpërngulën rreth 5500 familje, ose mbi 35 mijë banorë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›