E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrësi fton italianët të investojnë në disa sektorë

Sipërmarrës të ndryshëm italianë kanë shprehur interes për investime në Qarkun e Durrësit. Pas miratimit në KRRT-në e Këshillit të Qarkut të masterplanit për parkun energjetik dhe industrial, kryetari i Këshillit, Seid Kërtusha, duke bërë një paraqitje mbi burimet natyrore dhe mundësitë për investime, theksoi se Durrësi paraqet interes për investime në fushën e energjetikës. "Janë rreth 1200 ha tokë në dispozicion të këtyre projekteve, realizimi i të cilave është parashikuar të zbatohet në 30 vjet. Gjithashtu, mjaft interes paraqet zona për ndërtimin e burimeve që përfitohen nga energjia e rinovueshme, në mënyrë që të garantohet njëkohësisht edhe mbrojtja e territorit nga mbetjet urbane", u tha Kërtusha investitorëve italianë. Tjetër mundësi që paraqet Durrësi për investitorët e huaj është sektori i turizmit, veçanërisht zona e Gjirit të Lalzit. Sektor tjetër i gatshëm për të pritur investimet e huaja është edhe peshkimi. Ndonëse Durrësi zotëron një flotë peshkimi, industria përpunuese e prodhimeve të detit pothuajse nuk ekziston. Nga ana e tij, kryebashkiaku Vangjush Dako ofroi mundësi për investime në sektorët e riciklimit të mbeturinave urbane, në atë të ndërtimit të parkimeve të nëndheshme, në sektorët e transportit etj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›