E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani: Kriza po na rrezikon

Kriza ekonomike që do të mbërthejë Shqipërinë në 2009-ën është e pashmangshme, por ato që nuk dihen ende janë pasojat. Sektorët që do të preken më tepër do të jenë bankat me kreditë që japin, të ardhurat nga emigrantët, eksportet dhe investimet e huaja. Për momentin, Ministria e Financave dhe institucionet ndërkombëtare financiare që kanë zyra në Shqipëri, kanë zbardhur vetëm një pjesë të efekteve që mund të sjellë kriza ekonomike, duke përmendur rënien e disa sektorëve në ekonominë e vendit, ndërsa për ritmin rritës të Prodhimit të Brendshëm Bruto, treguesit nuk duken edhe aq optimistë. Niveli i rritjes ekonomike për vitin 2009 vërtitet tek 4 përqindëshi, 2 për qind më pak se viti aktual, megjithatë konsiderohet më i larti në rajon dhe Evropë. Përtej këtyre parashikimeve, Banka e Shqipërisë, autoriteti i vetëm monetar në vend që mban përgjegjësi, jo vetëm për stabilitetin e çmimeve, por edhe atë të bankave, doli dje në një deklaratë të Këshillit Mbikëqyrës, ku pranon rrezikun që i kanoset vendit nga kriza financiare ndërkombëtare dhe kësisoj shpreh gatishmërinë për ta reduktuar atë. Deklarata u bë nga guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani, i cili më shumë se kurrë ka në dorë fatin e financave të shqiptarëve dhe të ekonomisë në tërësi. Edhe pse në tremujorin e tretë të 2008-ës, ecuria e ritmit rritës e ekonomisë në vend ka rezultuar pozitive, guvernatori nuk e fsheh "frikën" e ndikimeve negative në të ardhmen, si rrjedhojë e krizës në tregjet e huaja.

Situata

Në rrafshin ekonomik, Shqipëria mund të përballet me kushte më të vështira për financimin e aktivitetit, me një rënie të kërkesës së huaj, të remitancave dhe të investimeve të huaja direkte. "Të gjitha këto mund të sjellin një ritëm më të ulët rritjeje gjatë vitit 2009, ndonëse në nivele që mbeten gjithsesi të pranueshme", është shprehur dje kreu i BSH-së. Guvernatori mendon se vëmendja e politikëbërësve nuk duhet të shkëputet në asnjë moment nga nevoja për ruajtjen e balancave makroekonomike. Sipas Fullanit, qeveria duhet të tregojë kujdes me politikat fiskale që ndjek, duke vendosur kritere të qarta për përballimin e goditjeve të ndryshme. Duke iu referuar të dhënave të tremujorit të tretë 2008, BSH deklaron se, me gjithë tronditjet e tregjeve financiare dhe shenjat e para të ngadalësimit ekonomik në rang botëror, ekonomia shqiptare ka rezultuar relativisht e paprekur gjatë kësaj periudhe dhe kjo duket nga rritja ekonomike dhe niveli i inflacionit. Sa i takon të ardhmes, Fullani thotë se, tejkalimi i krizës ekonomike në nivel botëror do të kërkojë kohën e vet. Ndërkaq, rigjallërimi i kërkesës së brendshme, rritja e punësimit dhe zhvillimi i ekonomisë në përputhje me potencialet e saj prodhuese, mbeten sfida të vazhdueshme për autoritetet politike, përfshi edhe BSH-në. Për të kapërcyer krizën, guvernatori ka kërkuar më shumë bashkëpunim me qeverinë, në mënyrë që të krijohet një ekuilibër midis faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm. Për momentin, ekonomia shqiptare nuk është e prekur nga problemet ekonomike të recesionit, sistemi bankar shqiptar nuk ka investuar në letrat me vlerë "toksike" të tregjeve të zhvilluara, ndërkohë që aktiviteti i tij i brendshëm është i shëndetshëm. Në këto kushte, BSH-ja shpreh optimizmin se vendi do ta kapërcejë krizën, jo vetëm duke zbatuar rregullat monetare, por, nga ana tjetër, edhe qeveria duhet të tregohet më e matur në politikat e saj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›