E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Duart e pastra": Zyrtarët e akuzuar apelojnë vendimin

Autori i Lajmit: Red.
Avokatët mbrojtës të 9 zyrtarëve të akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre kanë apeluar vendimin e gjykatës së Tiranës, vendim sipas të cilit, të arrestuarit do të qëndrojnë në burg pa afat deri në përfundim të hetimeve nga prokuroria. Përfaqësuesit juridikë të të arrestuarve Nikolin Jaka, Ilir Berzani, Bashkim Kamberi, Xhevahir Muçogllava, Arbër Qato, Arjan Sheti, Skënder Bokçiu, Enton Resuli dhe Isuf Ukperaj, ish-zyrtarë të Ministrisë së Transporteve dhe biznesmenë, të cilët janë arrestuar tri ditë më parë me akuzat e korrupsionit, mitëmarrjes dhe shpërdorimit të detyrës kanë depozituar në Gjykatën e Apelit vendimin e gjykatës së Tiranës, duke shpresuar në një masë më të lehtë sigurie.
Refuzimi
Në seancën e së enjtes, gjykata e Tiranës nuk pranoi kërkesën e avokatëve për lirimin e zyrtarëve në këmbim të garancisë pasurore prej 10 mijë euro për secilin të arrestuar. Gjatë seancës e ka marrë fjalën edhe ish-zëvendësministri i Transporteve, Nikolin Jaka, i cili pasi ka kundërshtuar akuzën e bërë ndaj tij dhe të pandehurve të tjerë, ka deklaruar se përgjimet telefonike nuk mund të përdoren si prova kundër tyre, pasi ato janë marrë në mënyrë të paligjshme dhe nuk mund të provojnë fajësinë e zyrtarëve të akuzuar. Edhe ky pretendim i të pandehurit Jaka duket se nuk është marrë parasysh nga gjykata, e cila ka vendosur që t i lërë në qeli të nëntë personat e pandehur deri në përfundim të procesit hetimor dhe atij gjyqësor.

Ky lajm është publikuar: 22/09/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›