E Shtunë, 31 Tetor 2026

Valentina Duka, një karikaturë politike për universitetin

Nëse ka një detaj që bën të qartë hakmarrjen dhe cinizmin e ministrit të Arsimit, Genc Pollo, ndaj botës universitare, është kandidimi dhe mbështetja që ai i jep kandidaturës së Valentina Dukës për Rektore të Universitetit të Tiranës. Pas një beteje të gjatë për miratimin e ligjit të Arsimit të Lartë, debat që i kushtoi shumë energji shumicës në pushtet, për shkak të personalizimit që iu bënte neneve të veçanta të ligjit Genc Pollo, tani kemi një shfaqje të vërtetë të hakmarrjes së tij, e cila shkon deri në perversitet. Për të kuptuar sesa shumë e fyen botën universitare ky ministër, duhet të vizatoj me pak rreshta se kush është kandidatja e tij.
Valentina Duka është një e diplomuar për Histori, me një formim më pak se mesatar, e cila deri në mes të viteve `90 ishte një njeri krejt i rëndomtë, që nuk ia dinte emrin askush. Me ndihmën e Genc Pollos dhe disa njerëzve të tjerë, atëherë afër Berishës, ajo u katapultua papritur në organizatën e Gruas Demokrate si zëvendëskryetare dhe përmes teserës së partisë pushtoi fakultetin e Histori-Filologjisë dhe arriti të bëhej zëvendësrektore e universitetit në vitin 1996. Një ambicioze injorante dhe e motivuar vetëm për të bërë karrierë përmes përshtatjes me politikën, ajo iu kundërvu disa emrave të njohur të fakultetit Histori-Filologji si Aurel Plasari dhe Rudolf Marku dhe për të mbushur boshllëkun e tyre, thirri pedagogë të rinj, të futur kollovarë në Tiranë, që t’i shërbenin kultit të saj. Debati i shpërthyer në atë kohë kundër saj ishte asgjësues për profilin e një dekaneje, por ajo u mbrojt politikisht, duke thënë se kritikët e saj ishin njerëz të zemëruar me pushtetin e Berishës. Kështu, deri në mars të vitit 1997 ajo ishte një fanatike politike që përdorte politikën për të bërë karrierë pedagogjike. Kur socialistët erdhën në pushtet, ajo duhej të ndryshonte menjëherë. Dhe ashtu bëri. Përtëriu lidhjet e saj të vjetra me një ministër socialist, dikur dekan i fakultetit Histori-Filologji, bëri gjeste të forta publike kundër Berishës dhe qeverisjes së tij që e kishte marrë nga rruga dhe e kishte bërë titullare universiteti dhe fitoi besimin e Partisë Socialiste. Me ndihmën e qeverisë dhe nën financimin direkt të Ministrisë së Jashtme formoi një OJQ të quajtur Instituti për Studime Ballkanike, të cilit iu akorduan rreth 300 mijë dollarë nga qeveria dhe shërbeu si një lajkatare e qeverisë në emër të universitetit. Ndërkohë që partia e Genc Pollos po përdorej po ashtu si opozitë e opozitës së atëhershme, pra si opozitë e PD, Dukës iu caktua një rol dhe në këtë histori qeveritare të asaj kohe. Kështu, ajo, duke qenë në kryesinë e PDR, vazhdoi të ishte kandidate e tij në qytetin e Korçës në zgjedhjet e vitit 2005. Pas fitores së të djathtës, natyrisht që Duka e kishte të vështirë të lëpinte për herë të tretë gjërat që kishte pështyrë dhe mbeti në dispozicion të ministrit Pollo. Ky i fundit që e nisi partinë me gjashtë ish-deputetë të PD dhe e katandisi me Valentina Dukën, filloi ta përdorë këtë të fundit për të gjitha punët e tij. Kjo mbronte ligjin e Arsimit, kjo mbronte reformat e Pollos, kjo diktonte se kush ishte i mirë dhe i keq në universitet. Së fundi, kjo dhe Llukan Puka, një ish-aparatçik i vjetër i Komitetit Qendror, janë angazhuar po prej Pollos që të marrin karrigen e rektorit të universitetit të Tiranës. Vizioni i Genc Pollos për universitetin nuk del dot jashtë rrezes së shikimit që i lejon Valentina Duka. Ai ka vetëm një njeri tashmë në këtë botë, Valentina Dukën. Atë për militante partie, atë për anëtare partie, atë për besnike partie, atë për anëtare kryesie, atë zëdhënëse partie, atë për reforma partie, atë dhe për kandidate të partisë në universitet. Ky është një turp që nuk ka ndodhur kurrë që nga viti 1957, kur është krijuar ai universitet. Dhe ky është një turp që mund ta bëjnë vetëm njerëz të pacipë si Genc Pollo. Në asnjë rrethanë socialistët nuk kanë keqkatandisur universitetin e Tiranës në një figurë kaq banale, kaq mediokre dhe kaq injorante sa kjo që iu ofron në vitin 2007 ministri i Arsimit, Genc Pollo. Do të ishte në nderin e qeverisë të detyronte Genc Pollon ta tërhiqte këtë karikaturë nga gara. Jo se rrezikon garën. Jo se mund të marrë ndonjë votë prej studentëve që nuk e njohin, por, se është e tepërt të fyesh universitetin në këtë mënyrë. Është më mirë ta mbyllësh se sa t’i ofrosh Valentina Dukën rektore. Është një prodhim tipik i perversitetit politik të pluralizmit, një zvarranike që kacavaret pas çdo peme partie, mjafton të shijojë frytet e pushtetit. Ka plot mënyra sesi mund ta fyesh një universitet, edhe kur nuk është cilësor. Kjo që po bën Genc Pollo është më perversja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›