E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Politika dhe gjyqësori të projektojnë reformën

Suksesi i reformës në drejtësi do të varet nga angazhimi i vetë protagonistëve brenda këtij sistemi. Ky ka qenë dje mesazhi i përcjellë nga Presidenti i Repubilkës, Bamir Topi, njëherazi edhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Tre muaj pas tryezës që inicioi me kryetarët e partive parlamentare në vend, ku u shpreh vullneti i përbashkët politik për domosdoshmërinë e realizimit të reformës në drejtësi, presidenti ka mundur të mbledhë një tryezë, ku kanë marrë pjesë politikanë dhe ekspertë të fushave. “Të gjithë gjyqtarëve, prokurorëve dhe avokatëve të pranishëm iu bëj thirrje që të bëhen pjesë aktive e këtij debati, duke dhënë ekspertizën e tyre për reformën”, - tha ai.

Inicimi
Presidenti Topi e ka quajtur historik debatin publik të hapur dje për reformën në drejtësi dhe ka premtuar një shtrirje të këtij debati, me qëllim ngritjen e një platforme sa më të pranueshme reforme për për të gjithë aktorët. “Jemi mbledhur sot këtu së bashku, për një çështje shumë të diskutuar kohët e fundit, e cila po interferon ndjeshëm në zhvillimet politike, ekonomike, institucionale, çështjet e integrimit, në të drejtat qytetare dhe nuk po lejon forcimin, ashtu siç duhet, të shtetit ligjor në Shqipëri. E kam fjalën për reformën në sistemin e drejtësisë”, - tha kreu i shtetit. Ai iu bëri thirrje pjesëmarrësve që të jenë konkretë në propozime. “Prej disa vitesh, aktorët politikë vazhdojnë të artikulojnë në ndonjë rast me doza abuzivizmi me konceptin e reformës dhe për fat të keq, deri tani, askush nuk ka mundur të prodhojë teza specifike se ku duhet të shtrihet kjo reformë. Për këtë arsye, unë e quaj debatin e sotëm shumë të rëndësishëm dhe historik për reformën në drejtësi”, - tha presidenti Topi. Kreu i shtetit kërkoi një kombinim mes faktorëve politikë dhe elementëve reformues brenda sistemit. “Dikush mund të preket nëse pyetja shtrohet në këtë mënyrë. Kurrsesi, kjo është çështje e disa temave të referencës që vlejnë për të gjithë, pra vlejnë për njeriun e thjeshtë, vlejnë edhe për profesionistin më të aftë. Pra, pyetja e parë bazale mbetet gjithmonë në fuqi. Pra, ç’është reforma? Kush duhet të marrë pjesë dhe kush duhet të jetë pjesë e hartimit të kësaj reforme? Cilat grupe interesi duhet të përfshihen në të? Cilat duhet të jenë parimet bazë të këtij ndryshimi? Çfarë do të reformojmë? Reformë ligjore apo institucionale? Shumë e shumë pikëpyetje të tjera do të startojnë sot mes nesh, për t’u larguar njëherë e përgjithmonë nga retorika e një propagandë e panevojshme, si dhe për të dhënë shembullin se e konceptojmë reformën në drejtësi, jo vetëm si teori, por edhe si një deduksion juridik të një analize, e cila do të përfshijë në debat qindra e qindra juristë, gjyqtarë, prokurorë dhe politikanë. Pra, ky lloj bashkëpunimi, kjo lloj bashkëjetese institucionale është jetike", - tha Topi.

Statusi i gjyqtarit
Nënkryetari i KLD-së, Kreshik Spahiu, kërkoi gjetjen e rrugëve për një platformë që do të garantonte ndryshime jetëgjata në këtë sistem. “Ne gjykojmë se çdo lloj reforme në administratë apo institucion tjetër, pa dyshim do të jetë e dështuar, në qoftë se nuk ka një reformë dhe administrim me duar të pastra të gjyqësorit, të sistemit të drejtësisë, sepse, nëse nuk funksionon enti rregullator i dhënies së drejtësisë, padyshim çdo lloj pushteti, çdo lloj institucioni do të kthehet në abuziv, sepse nuk ekziston filtri i drejtësisë”, - vuri në dukje Spahiu. Sipas tij, në përfundim të kësaj fushate, Kuvendi i Shqipërisë do të ketë një platformë dhe qëndrim të përbashkët juridik të të gjithë komunitetit të gjyqtarëve dhe përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë për reformën. Ndërkaq, në kuadër të reformës në drejtësi, ai evidentoi nevojën për ngritjen e disa komisioneve brenda KLD-së, ridimensionimin e rolit të këtij Keshilli në kontrollin e dispilinës dhe etikës së gjyqtarëve, rolin mbikqyrës mbi deklarimin e pasurisë së gjyqtarëve, limitimin e mandatit të drejtuesve të gjykatave, etj. Gjithashtu, zoti Spahiu u ndal edhe tek disa problematika të gjyqësorit, ku permendi statusin e gjyqtarit, karrieren, pagën dhe imunitetin e tij. Spahiu theksoi edhe nevojën e bashkëpunimit me Dhomën e Avokatisë dhe ngritjen e grupeve monitoruese me avokatët, si ura lidhëse mes avokatit, publikut dhe gjyqësorit.

Alibeaj: Kemi nevojë për gjykata të posaçme

Kreu i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, kërkoi nga aktorët në debatin mbi reformën në drejtësi që të japin mbështetje në raportprogresin e vitit 2007 të Komisionit Europian, të cilin e vlerësoi si busull e saktë orinetuese për atë çka duhet të bëjmë për të shkuar atje ku dëshirojmë. “Në raport thuhet se, sistemi gjyqësor ka bërë disa hapa në drejtim të rritjes së efiçencës. Megjithëkëtë, ai ka vazhduar të funksionojë në mënyrë të varfër, për shkak të mangësive në pavarësi, në transparencë dhe efiçencë”, - citoi Alibeaj. Sipas tij, këto simptoma të sistemit janë të shpërhapura, pothuajse simetrikisht, njësoj në të gjitha segmentet e tij, duke përfshirë pushtetin gjyqësor kryesisht e veçanërisht, por jo vetëm ato që shprehen në sistemin e prokurorisë, apo edhe segmentet e ekzekutimit të dënimeve, madje edhe te operatorët e tjerë të drejtësisë si avokatia, apo noteria. “Të gjitha këto segmente, veprimtaria dhe funksionimi i tyre duhet të jenë objekte të reformimit nën dritën e arritjes së standardeve minimale të pavarësisë atje ku duhet, të transparencës dhe efiçencës, reforma këto të cilat duhet të kenë një ritëm të shpejtë, madje frenetik, por sigurisht të matura, largpamëse jashtë interesave të ngushta politike, momentale”, - theksoi ministri Alibeaj. Kreu i Drejtësisë e konsideroi projektligjin e depozituar në Kuvend për reformën në drejtësi si një manual që përfshin karrierën, si dhe krijimin e gjykatave të specializuara. “Sot, ka një sistem gjyqësor, sot ka gjyqtarë, të cilët rreken të zgjidhin çështje të natyrave dhe problematikave të ndryshme, por që janë zhytur me sukses në konfuzion të plotë. Për këtë arsye është parashikuar dhe besoj duhet diskutuar mbi idenë e krijimit të gjykatave të posaçme e të specializuara, si gjykatat administrative, një mangësi e madhe e sistemit gjyqësor”, - tha Alibeaj. Ndërkaq, Ministri i Drejtësisë theksoi se, “nëse do të duam të kemi sukses në këtë ndërmarrje të përbashkët dhe kaq të rëndësishme në këtë kohë situatash imperativesh që ndodhemi, do të duhet t’i referohemi një ndryshimi në mentalitet për të patur sukses.”

Ambasadori i BE-së, Lohan: Politika të mos braktisë debatin për reformën

“Politika duhet të vendosë prioritetet në lidhje me reformën në gjyqësor.” Kështu ka deklaruar dje shefi i delegacionit të Komisionit Europian në Shqipëri, Helmut Lohan, i cili përshëndeti tryezën mbi strategjinë për reformën në drejtësi, e cila u zhvillua në hotel “Sheraton” në Tiran, iniciuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nën kujdesin e presidentit Topi. "Këto konsultime intensive me të gjitha palët e interesuara janë shumë të nevojshme, është një hap i rëndësishëm në këtë proces. Reforma legjislative kërkon edhe procedura parlamentare të organizuara mirë, që mundësojnë kohën e mjaftueshme për të bërë analizën dhe debatin në Parlament”, - tha zoti Lohan. Shefi i delegacionit të KE-së në Shqipëri, Helmut Lohan, iu bëri thirrje forcave politike për të vendosur prioritetet në lidhje me reformën e gjyqësorit. Edhe disa ditë më parë, gjatë Konferencës së Gjyqësorit, ai iu bëri thirrje forcave politike që të mos braktisin debatin mbi reformën në gjyqësor. Thuajse në të gjitha raportet e BE-së, reforma në gjyqësor është konsideruar jetike për të ardhmen, e sidomos për integrimin në strukturat euroatlantike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›