E Diel, 1 Nëntor 2026

Investimet e huaja 440 milionë dollarë, sa edhe vjet, pavarësisht projekteve të mëdha

Investimet e huaja direkte në Shqipëri për këtë vit llogariten në rreth katërqind e dyzet milionë dollarë, ndërkohë që marrëveshjet e nënshkruara apo projektet për të cilat është rënë dakord kapin një vlerë që shkon deri në një miliardë e gjysmë dollarë. Vitin e kaluar, investimet e huaja ishin në vlerën e rreth katërqind e tridhjetë milionë dollarëve. Të dhënat tregojnë se investimet e huaja direkte në Shqipëri kanë pësuar një rritje të papërfillshme, ose janë në të njëjtin nivel. Investimet e huaja direkte në vend, kryesisht mbulojnë sektorë të industrisë së përpunimit dhe të tekstileve dhe janë shumë pak të pranishme në transport dhe në ndërtim, apo në sektorë të tjerë. Iniciativa për nxitjen e investimeve të huaja ka bërë që shumë projekte të paraqiten, por realisht, ende asnjë investim konkret i rëndësishëm nuk ka nisur të marrë jetë. Ndër projektet e mëdha të paraqitura janë ato për ndërtim termocentralesh me naftë apo me qymyr, ndërtim të stacioneve të gazit, ndërtim të linjave të transmetimit të energjisë, ndërtim të hidrocentraleve të mëdha, por ende asnjëra prej tyre nuk është në fazën e nisjes së punimeve dhe është e sigurt se, që të mbërrijë kjo fazë do të duhet shumë kohë. Sa u përket investimeve të huaja në vende të tjera të rajonit, Shqipëria është vendi i fundit. Investimet e huaja direkte vazhdojnë të vijnë në Shqipëri po me atë ritëm që ishin dhe afërsisht në po ata sektorë të biznesit si edhe më parë, pavarësisht projekteve që janë paraqitur. Një pjesë e bizneseve të huaja në Shqipëri janë edhe në ortakëri me biznesin shqiptar, por kjo gjë, kryesisht ka ngjarë për biznese të vogla apo të mesme. Privatizimi është ndër të vetmit mjete me anë të të cilit mund të tërhiqen investitorë të huaj të rëndësishëm, sepse edhe ata investitorë të mëdhenj të huaj që janë sot në vend kanë ardhur me këtë mënyrë. Shqipëria po shfaq vështirësi shumë të mëdha në tërheqjen e investitorëve të mëdhenj dhe kjo, më së shumti, për shkak të mundësive të vogla që krijon një vend si i yni, me burokraci të mëdha dhe me treg jo të qëndrueshëm. Pothuajse prej vitesh, rritja e investimeve të huaja ka qenë një gjë e kërkuar prej të gjitha administratave, por çdo vit investimet kanë ruajtur thjesht një ritëm mediokër në rritjen e tyre, ashtu si edhe për këtë vit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›