E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuk ekziston e drejta për luftë

Ekziston e drejta për mbrojtje, që do të thotë se duhet të ekzistojë agresioni - i cili paraqet shkeljen e së drejtës ndërkombëtare, - për të ekzistuar e drejta për mbrojtje. Është e çuditshme sesi askush në Serbi s’është në gjendje që ta thotë të vërtetën: Nuk ekziston e drejta për luftë. Ekziston detyrimi i vetëpërmbajtjes nga përdorimi i dhunës.
E drejta në luftë nuk ekziston, as atëherë kur të gjitha mjetet e tjera të jenë shpenzuar. Qëllimi nuk i arsyeton mjetet. Nëse diçka s’mund të arrihet me mjete jo të dhunshme, kjo do të thotë se ligjërisht kjo gjë as që mund të arrihet fare. Ndonëse, edhe po të mund të arrihej me mjete luftarake, ky do të ishte agresion, që d.m.th., një veprim i paligjshëm.
Nuk mundet ndonjë shtet të vendosë, nëse dikush tjetër nuk e respekton konventën e Kombeve të Bashkuara dhe që pastaj t’ia fillojë një lufte. Këtë gjë mund ta bëjnë vetëm Kombet e Bashkuara. Pa vendosur kështu vetë Kombet e Bashkuara, nuk ka shkelje të konventës së OKB.
Nuk është qeveria e asnjë shteti më e lartë sesa Kombet e Bashkuara.
E tash edhe ajo më e rëndësishmja. Serbia nuk ushtron qeverisje sovrane në Kosovë, për shkak se ajo ka shkelur konventën e Kombeve të Bashkuara, më konkretisht kreun e shtatë të saj, gjë e cila edhe ishte motiv për aprovimin e Rezolutës 1244 dhe për praninë e OKB në Kosovë, si dhe gjithë të tjerëve, përfshirë këtu edhe NATO.
E ç’do të thotë shkelja e kreut të shtatë të konventës së Kombeve të Bashkuara? Do të thotë kërcënim i paqes, gjë që edhe nxiti aksionin e Kombeve të Bashkuara në formë të rezolutës, në të cilën tani po thirren të gjithë. Veç kësaj, Serbia ka kërcënuar edhe të drejtat e njeriut në Kosovë, gjë e cila tani është motiv për bisedimet lidhur me statusin e ardhshëm të Kosovës.
Nga kjo del se Serbia, përmes aksionit ushtarak, sërish do t’i kërcënonte edhe paqen, edhe të drejtat e njeriut. Veç kësaj, në këtë rast Serbia do të ishte edhe agresor. Dhe atë ndaj Kombeve të Bashkuara. Është e pakuptueshme sesi askush në Serbi nuk është në gjendje që ta thotë këtë gjë.
Fundja, a është edhe shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës një akt agresioni dhe a mundet kjo gjë që fare të konsiderohet si ‘casus belli’, gjegjësisht si arsye për shpalljen e luftës?
Jo. Për dy arsye. E para, ngaqë s’bëhet këtu fare fjalë për një akt ndërkombëtar, që d.m.th., se nuk ka as agresion. E nga ana tjetër, implikimet e kësaj gjëje bëhen më të qarta edhe kur dihet se nuk ekziston e drejta për luftë. Duhet pra të ekzistojë agresioni, e shpallja e pavarësisë nuk është gjë e tillë. E dyta, për shkak se përgjegjëse për sigurinë në Kosovë janë Kombet e Bashkuara e ato s’mund të jenë agresorë.
Të gjitha argumentet që po deklarohen rreth jogjithëpërfshirshmërisë, pamundësisë së nisjes dhe rreth padëshirueshmërisë së luftës, e kanë peshën e tyre, megjithëse janë jorelevante. Kjo, ngase jo vetëm që nuk ekziston e drejta për luftë, por edhe për shkak se Serbia, me përdorimin e dhunës në Kosovë, do ta rrezikonte drejtpërsëdrejti edhe paqen, gjë e cila pastaj do t’iu jepte të drejtë Kombeve të Bashkuara, gjegjësisht atyre që në emër të Kombeve të Bashkuara përkujdesen për sigurinë në Kosovë, që të kundërpërgjigjen me forcë.
Kështu, e drejta do të ishte në anën e tyre, ndërsa e padrejta në anën e Serbisë.

*Marrë nga ditorja serbe ‘BLIC’

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›