“Duart e pastra” pastrojnë tregun informal të valutës
VLORË – Një person është ndaluar pasi është gjetur duke këmbyer valuta në qytetin e Vlorës. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut bëjnë të ditur se si rezultat i vijimit të operacionit “Duart e pastra” nga ana e Seksionit të Pastrimit të Parave, nga kontrolli i ushtruar në vendin e quajtur Kapelja, në lagjen “28 Nëntori”, u bë e mundur kapja në flagrancë e Guri Lamajt, 45 vjeç. “Kapja e tij u bë pasi ushtronte aktivitet të kundërligjshëm të këmbimit valutor, që bie ndesh me ligjin “Mbi funksionimin e bankave në Republikën e Shqipërisë”, - deklaroi policia vendore. Nga ana e policisë u administruan në cilësinë e provës materiale një sasi prej 500 mijë lekësh.
Materialet në ngarkim të tij iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Vlorës për veprime të mëtejshme, pasi ndaj tij filloi çështja penale në gjendje të lirë. Policia e Vlorës ka bërë me dije se operacioni “Duart e pastra” do të vijojë edhe në ditët në vijim.
Gabimi, plagoset gjahtari teksa pastronte çiften
FIER – Një gabim i vogël i ka kushtuar shtrenjtë një gjahtari. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Fierit bëjnë të ditur se një burrë 40-vjeçar është vetëplagosur teksa po pastronte armën e gjahut. Sipas tyre, ngjarja ndodhi në fshatin Daullas të Komunës Qendër pranë qytetit të Fierit. Aristir Sako, teksa po pastronte vajin e çiftes, para se të shkonte për gjah, gjatë pastrimit, e ka shkrepur pa dashje dhe është plagosur me armën që e kishte me leje. I vetëplagosuri është dërguar në Kirurgjinë e Spitalit të Fierit, ku mjekët konstatuan se i dëmtuari kishte marrë plagë nga saçmet, në supin e majtë, por nuk paraqet rrezik jete.
Arrestohet i mituri, ishte kthyer në tmerrin e pronarëve të kioskave
FIER - Policia e Fierit ka vënë në pranga një të mitur, i cili kërkohej prej kohësh, pasi ishte kthyer në tmerrin e lokaleve dhe kioskave që i plaçkiste në bashkëpunim me të tjerë. Pas marrjes së informacionit për vendndodhjen, forcat e rendit kanë arritur të arrestojnë shtetasin Mentor Mersini, banor në Komunën e Levanit. “Ky shtetas është shpallur në kërkim me vendim nga Gjykata e të Miturve në Rrethin e Vlorës”, - deklaruan burimet në Policinë e Qarkut të Fierit. Sipas tyre, i mituri, në bashkëpunim me të dyshuarin tjetër, Vangjel Hajdini, aktualisht i arrestuar dhe në bashkëpunim me Spartak Muharremin dhe Vasil Alushin, të cilët janë shpallur në kërkim, ishin bërë tmerri i pronarëve të disa kioskave që ndodhen në rrugët kryesore të lagjeve të qytetit të Fierit.
Të dyshuarit akuzohen se kanë vjedhur me anë të thyerjeve kioskat e shtetasve R.G. në datën 12 nëntor 2008, në lagjen "Liri"; J. K., më datën 22 nëntor 2008, në lagjen "Kongresi i Përmetit"; M.D. dhe K.K në datat 29 nëntor dhe 4 dhjetor të vitit 2008 që ndodhen në lagjen "Konferenca e Pezës". Dosja në ngarkim të Mersinit i kaloi prokurorisë, ndërsa bashkëpunëtorët e tij në grabitje janë në kërkim nga policia.
10 Janar 2009