Maskat tentojnë grabitjen, plagosin rëndë tre anëtarë të familjes
DURRËS – Një familje është grabitur me dhunë nga dy persona të maskuar. Për pasojë, kanë mbetur të plagosur rëndë dhe gjenden në Spitalin e Durrësit tre prej anëtarëve të saj. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi dje, në orën 00.30, në fshatin Rrashbull, fare pranë qytetit të Durrësit, kur dy persona të maskuar kanë dhunuar banesën e shtetasit Zenel Berberi. Sipas tyre, ata kanë tentuar të realizonin një grabitje, por janë zbuluar nga familjarët pasi kishin hyrë brenda saj. Në përpjekje për të shpëtuar paratë e tyre, familjarët janë përleshur me dy personat e maskuar.
Plagosja
Burime në vendngjarje dhe nga dëshmitë e të dëmtuarve bënë të ditur se përleshja është bërë me sende të forta, ndërsa nuk konfirmohet përdorimi i armëve të zjarrit. Për pasojë, janë plagosur 62-vjeçari Zenel Berberi, bashkëshortja e tij 58-vjeçare, Ikbale Berberi, si dhe vajza e tyre 25-vjeçare, A. Berberi. Ndërkohë, të plagosur në përleshje kanë mbetur edhe dy personat e maskuar që tentuan grabitjen. Tre personat e plagosur të familjes Berberi janë dërguar në gjendje të rëndë në Repartin e Reanimacionit të Qendrës Spitalore në Durrës, ku mjekët thanë se ata nuk rrezikohen për jetën. Ndërkohë, policia ende nuk është e qartë nëse dy maskat arritën të vjedhin shumën e parave që synonin të grabisnin në banesën e familjes Berberi.
Hetimi
Forca të shumta policie kanë qëndruar në fshatin Rrashbull dhe përreth tij, në përpjekje për të identifikuar dhe arrestuar dy autorët e aktit të dhunshëm, të cilët mund të kenë pasur jashtë banesës edhe persona të tjerë bashkëpunëtorë. Gjatë ditës së djeshme janë ushtruar kontrolle në akset rrugore, si dhe janë marrë shenjat e vendit të ngjarjes, të cilave do t’u bëhet ekspertiza. Nga dëshmitë e dhëna prej tre pjesëtarëve të familjes Berberi, nuk ka të dhëna për identitetin e tyre, por po punohet për zbulimin e autorëve.
10 Janar 2009