Prangoset adoleshenti, kërcënoi me armë punonjësit e lokalit
DURRËS – Një adoleshent ka dashur të tregojë trimëri, duke kërcënuar me armë të gjithë punonjësit e lokalit, por një telefonatë anonime ka sjellë policinë në vendngjarje, e cila prangosi shkaktarin e rrëmujës. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 23.45, është arrestuar në flagrancë shtetasi Xhildo Kolaj, lindur dhe banues në Lagjen Nr. 14, në Shkozet. Sipas tyre, 17-vjeçari Kolaj ka hyrë në mes të lokalit, duke mbajtur armë zjarri në brez. Madje, ai ka kërcënuar klientët dhe stafin e pranishëm në mjediset e lokalit. Në atë moment, një telefonatë ka mbërritur në sallën operative duke bërë që një grup policor të shkojë në bar-restorant dhe të arrestojë adoleshentin. Policia tha se pas arrestimit të Kolajt sekuestroi, në cilësinë e provës materiale, armën e zjarrit, tip pistoletë speciale “Manjum”, me numër F732924. Tani, i riu ndodhet në qelitë e paraburgimit dhe po përballet me akuzën e armëmbajtjes pa leje, fakte që ndoshta do t’i shërbejnë pas pak ditësh kur të dalë nga liria e ndalur për të mësuar se trimëria e tepruar nuk të sjell shumë avantazhe.
10 Janar 2009