E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duarthatë nga veriu

Një delegacion i UNMIK’ut, i udhëhequr nga Farid Zarif, nuk arriti të bind serbët në veri të heqin barrikadat. Përfaqësuesi i OKB’së ka kërkuar që së paku të hapet rruga për lëvizjen e lirë të KFOR’it. Ky mision demantoi mediat e Beogradit se Zarif ka negociuar zhbllokimin e rrugëve në shkëmbim të largimit të doganierëve kosovarë nga atje. Nga Shpend Limoni më 01 tetor 2011 në ora 08:27

Ushtruesi i Detyrës së shefit të UNMIK’ut, Farid Zarif dhe zëvendësi i tij, Robert E.Sorenson bashkë me një delegacion të këtij misioni kanë qëndruar të premten në pjesën veriore të Kosovës, në përpjekje për të bindur serbët të heqin barrikadat që i kanë vendosur para disa javësh.

Por, natyrisht delegacioni i UNMIK’ut është kthyer prapa pa kryer punë atje.
E mediat serbe duke raportuar për vizitën e përfaqësuesve të OKB’së në Jarinje , kanë njoftuar se Zarif u “ka propozuar serbëve në veri që t’i heqin barrikadat në shkëmbim të ndalimit të transportimit të doganierëve kosovarë në pikat kufitare në veri të Kosovës”.
Por, këto fjali janë demantuar nga zyrtarë për media të UNMIK’ut, të cilët kanë thënë se raportimet në disa media serbe kanë qenë të pasakta.

I pyetur nëse ushtruesi i detyrës së shefit të UNMIK’ut ka përmendur largimin e doganierëve kosovarë nga pikat veriore, zëdhënësi i këtij misioni, Olivier Salgado ka mohuar një gjë të tillë.

“ Jo, kjo nuk është fare e vërtetë”, ka thënë Salgado për Express.
“Unë kam parë disa gjëra që janë plotësisht të falsifikuara. Ai nuk ka folur për këtë fare”, ka shtuar zëdhënësi.

Ky zyrtar ka dhënë versionin e UNMIK’ut rreth vizitës në pjesën veriore, duke konfirmuar takimet me kryetarin e Leposavqit, i cili në Prishtinë konsiderohet udhëheqës ilegal.

“ PSSP ka shkuar në porta këtë mëngjes sepse UNMIK’u është në kontakt me të gjitha palët , liderët e komunitetit . Ai ka takuar Kryetarin e Leposaviqit , liderët e Qeverisë së Kosovës, me EULEX’in dhe KFOR’in. Ne jemi në kontakt me të gjitha palët në përpjekje për të qetësuar situatën dhe jemi duke monitoruar zhvillimet nga afër . Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga veprimet unilaterale, të cilat mund të nxisin tensione në atë pjesë”, ka thënë ai.

UNMIK veçmas potencon se KFOR’it duhet t’i sigurohet lëvizja e lirë në pjesën veriore të Kosovës.

“Ne bëjmë thirrje për qetësi, përmbajtje dhe jemi kundër provokimeve dhe kundër përdorimit të forcës. Dialogu është thelbësor dhe KFOR’i duhet të ketë të drejtën e lëvizjes”, ka thënë Salgado.

Mediat serbe ndërkaq, duke njoftuar rreth vizitës të u.d të shefit të UNMIK’ut, kanë përcjellë edhe “argumente” tjera të tij që ka përdorur për të bindur serbët e barrikaduar të lirojnë rrugët.

“Do ta bllokoni lirinë e lëvizjes për një njeri që nuk bën asgjë dhe nuk kryen asnjë funksion?”, citohet të ketë thënë shefi i UNMIK”ut, duke iu referuar doganierëve kosovarë.

Sido që të jetë, serbët sërish kanë deklaruar se nuk mund të ketë doganierë të Kosovës, sepse atje s’ka kufi dhe se doganat janë shenjë e shtetësisë.
Në njoftimin për media të UNMIK’ut rreth këtyre takimeve thuhet se Zarif ka takuar komandantët e KFOR’it dhe të policisë së EULEX’it në portën 1 bashkë me serbët që kanë protestuar aty.

“Kombet e Bashkuara kundërshtojnë veprimet unilaterale dhe dhunën, dhe mbështesin dialogun si mjet për zgjidhjen e situatës aktuale në portat 1 dhe 31 dhe kudo qoftë në Kosovën veriore”, u ka thënë Zarif protestuesve serbë.

Ai ka thënë se UNMIK është i shqetësuar me situatën, derisa ka kërkuar nga të gjitha palët që të flasin mes vete.

Ai ka thënë se serbët kanë të drejtë të protestojnë, por u ka kërkuar atyre që të mos pengohet liria e lëvizjes së KFOR’it.

E në veri, Zarif ka dhënë edhe një porosi për autoritetet në Prishtinë, të cilët kohëve të fundit kanë folur për hapjen e gjykatave në veri.

Me këtë rast ai ka folur kundër veprimeve të njëanshme, të cilat mund ta përkeqësojnë edhe më tej situatën e tensionuar atje.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›