UNMIK’u demanton mediat serbe

(E plotësuar) Zëdhënësi i UNMIK’ut, Olivier Salgado, i ka thënë Gazetës Express se nuk janë të sakta raportimet e mediave serbe se kinse U.D. i Shefit të UNMIK’ut, Farid Zarif, u ka propozuar serbëve të Veriut që t’i heqin barrikadat në shkëmbim të largimit të doganierëve kosovarë nga dy portat veriore.
“Kjo absolutisht nuk është e vërtetë”, tha ai, për Express.
Zëdhënësi Salgado, ka shtuar se gjatë qëndrimit të tij në Veri, Zarif ka takuar “liderët e komunitetit”, “Kryetarin e Leposaviqit” – në përpjekje për ta qetësuar situatën në këtë pjesë të Kosovës.
Shefi i UNMIK’ut kundër Kosovës, BE’së dhe Amerikës
Ushtruesi i detyrës së Përfaqësuesit të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Farid Zarif, kokë më vete, u ka bërë një ofertë serbëve të Veriut për zhbllokimin e situatës së tanishme - duke dalë kështu kundër Qeverisë së Kosovës, BE’së dhe SHBA’së.
“U.D i Shefit të UNMIK’ut, Farid Zarif, ju ka propozuar serbëve në Veri që t’i heqin barrikadat, në shkëmbim të ndalimit të transportimit të doganierëve kosovarë në pikat kufitare në Veri të Kosovës”, transmeton RTS.
Shefi i UNMIK-ut u ka shpjeguar se doganierët kosovarë janë jo-operativë dhe i ka pyetur serbët: “Do ta bllokoni lirinë e lëvizjes për një njeri që nuk bën asgjë dhe nuk kryen asnjë funksion?”
UNMIK’u ende nuk e ka konfirmuar apo mohuar lajmin e transmetuar nga mediat serbe rreth këtij propozimi të afganit që e zëvendësoi Lamberto Zannier’in.