UD permanent
Fernando Gentilini erdhi në Kosovë për të punuar tre muaj, por ai do të mbetet këtu të paktën gjysmë viti.
Krejt kjo fal dështimit të Bashkimit Europian për të emëruar këtu një përfaqësues të përhershëm.
Tashmë është e qartë se atij do t’i vazhdohet mandati i Ushtruesit të Detyrës së Përfaqësuesit të BE’së në Kosovë, të paktën edhe për dy muaj.
“Mandati i Përfaqësuesit Special te BE’së për Kosovën është në proces të vazhdimit për një periudhë shtesë”, është thënë në një përgjigje të Zyrës së BE’së në Kosovë për Gazetën Express.
Diplomati italian e mori këtë detyrë më 6 maj të këtij viti për një mandat tremujor.
Njëkohësisht, Fernando Gentilini është një nga këshilltarët për Ballkanin në Sekretariatin e BE’së, e po ashtu është i përfshirë edhe në dialogun për çështje teknike mes Kosovës dhe Serbisë.
Për shkak të mospajtimeve mes shteteve anëtare rreth riorganizimit të pranisë europiane në Kosovë dhe nëse emisari i ri do të shërbente edhe si Shef i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Këshilli i BE’së me rekomandim të Kryediplomates Catherine Ashton në maj të këtij vitit ishte pajtuar që Gentilinit t’i japë fillimisht një mandat të përkohshëm deri më 31 korrik.
Megjithëse disa qeveri të shteteve europiane kanë propozuar emra për postin më të lartë të BE’së në Kosovë, kjo procedurë nuk ka përfunduar. Emrat e kandidatëve për EUSR mbeten në tavolinën e Baroneshës Ashton.
Detyra kryesore e Gentilinit gjatë misionit të tij të përkohshëm ka qenë të përgatisë një prani më të fortë dhe afatgjate në Kosovë, në përputhje me Traktatin e Lisbonës si dhe perspektivën europiane të tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Politika e re e jashtme e BE’së kërkon që prania e saj të vendoset nën një kulm. Kjo nënkupton përfshirjen e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Europian në Prishtinë në një strukturë të vetme me Zyrën e Përfaqësuesit të BE’së.
E kjo nuk ka ndodhur ende.
Përfaqësia e Komisionit Europian vazhdon të udhëhiqet nga një ushtrues detyre.