E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekstremistët, kërkojnë mbrojtje nga shefi i UNMIK-ut në Jarinje

Nga Express më 30 shtator 2011 në ora 14:22

Duhet t’i largoni barrikadat, ndërsa si kundërpërgjigje forcat ndërkombëtare nuk do t’i bartin për çdo ditë doganierët kosovarë në pikat kufitare, ka thënë shefi i UNMIK-ut në Kosovë, Farid Zarif, të premten para qytetarëve serbë në Jarinje, bëjnë të ditur burime të Kosovapress-it.

Sipas këtyre burimeve, serbët nuk kanë pranuar një propozim të tillë të shefit të UNMIK-ut për largimin e barrikadave, duke mohuar tërësisht Jarinjen si kufi me Serbisë, si dhe duke mohuar në përgjithësi shtrirjen e institucioneve të Kosovës në veri.

“Nëse veç duhet që këto pika administrative të kontrollohen, atëherë këtë mund ta bëjë UNMIK-u, sepse në të kemi besimin e plotë, por jo në asnjë mënyrë doganierët kosovarë dhe EULEX-in”, citojnë burimet të kenë thënë banorët, të cilët kanë kërkuar mbrojtje nga UNMIK-u.

Zarif ka apeluar tek qytetarët serbë që problemet duhet zgjidhur në mënyrë paqësore dhe jo dhunshëm.

“Kjo periudhë kalimtare është e domosdoshme të jetë e qetë, në mënyrë që të vazhdojnë bisedimet, sepse vetëm në këtë mënyrë zgjidhen problemet”, tha ai, duke shtuar se kontaktet mes tij dhe serbëve tani e tutje do të jenë më të shpeshta.

Burime të Kosovapress-it kanë shtuar më tej se pas bisedës me serbët, shefi i UNMIK-ut ka kaluar barrikadën për të kontaktuar edhe me përfaqësuesit e KFOR-it, ndërkohë që tani ndodhet në Leposaviq në një takim me krerët e strukturave paralele atje.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›