E Diel, 1 Nëntor 2026

Procesi ndaj Rezart Taçit, shtyhet sërish seanca



Ditën e djeshme nuk është zhvilluar, ashtu siç pritej, seanca e parë e procesit ku akuzohet biznesmeni Rezart Taçi dhe dy truprojat e tij, Irgen Selfo dhe Bledar Lilo, për rrahjen e gazetarit Mero Baze. Përfaqësuesi i biznesmenit mësohet se është shprehur se klienti i tij do të paraqitet në seancën e ardhshme, që u caktua më 11 mars. Gjyqtari i çështjes, Petrit Çomo, u shpreh se të gjithë të pandehurit kanë marrë dijeni për seancën e ditës së premte, mirëpo ata sërish nuk janë paraqitur. Tre të pandehurit akuzohen nga ana e Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “goditjes për shkak të detyrës” ndaj gazetarit Mero Baze. Sipas organit të akuzës, është arritur të provohet fakti si pronari i kompanisë “Taçi Oil” dhe “ARMO” e ka goditur gazetarin Baze dhe shkak kanë qenë emisionet dhe shkrimet që ky i fundit ka bërë në adresë të tij, duke e akuzuar atë për blerjen e parregullt të kompanisë shtetërore “ARMO”.

Lushnjë, shpërthen makina në qendër të qytetit
Një makinë ka shpërthyer dje në sheshin qendror të qytetit të Lushnjës. Sipas informacioneve paraprake nga policia, shkak është bërë një shkëndijë në motor. Sipas policisë, makina ishte e parkuar në kohën kur ndodhi shpërthimi. Të parët që e kanë parë ngjarjen kanë qenë disa shitës që ushtrojnë aktivitetin pranë vendit ku ndodhi ngjarja. Menjëherë pas shpërthimit tregtarët njoftuan policinë dhe shërbimet zjarrfikëse që mbërritën në vendin e ngjarjes. Forcat e policisë dhe zjarrfikësve kanë shkuar në vendin e ngjarjes fillimisht duke shuar zjarrin e më pas duke nisur hetimet mbi incidentin. Policia njoftoi se veç dëmeve materiale në makinë, shpërthimi nuk shkaktoi të lënduar. Dyshimet e para lidhen me një shkëndijë elektrike në impiantin e gazit. Mjeti ishte i parkuar kur ndodhi ngjarja.

Policia në kërkim të shqiptarit grabitës

Itali - Teksa gruaja po bënte pazarin e përditshëm, djali me origjinë shqiptare i kishte marrë portofolin dhe kishte arritur të ikte pa lënë gjurmë. Menjëherë gruaja lajmëroi autoritetet, të cilat kur kanë mbërritur në vendin e ngjarjes fillimisht kanë dëgjuar të dëmtuarën duke marrë sa më shumë informacione mbi hajdutin. Sipas policisë, në bazë të përshkrimeve nga gruaja dhe dëshmitarët e asaj skene, policia vendase arriti të identifikonte shqiptarin për të cilin tashmë është vënë në kërkim. Bëhet fjalë për një tetëmbëdhjetëvjeçar me inicialet B. H., i cili tashmë ka mbi supe një urdhër arresti me akuzën e vjedhjes dhe autoritetet janë vënë në kërkim të tij.

19 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›