E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koreja e Veriut i kthehet prodhimit të plutoniumit

Sipas mediave shtetërore, Koreja e Veriut po rikthen në punë impiantin e vet nuklear për prodhimin e plutoniumit. Mendohet se materiali nuklear do të prodhohet me shkallë të atillë pasurimi sa do jetë i vlefshëm për përdorimin për qëllime armatimi. Ai vjen vetëm pak javë pas testimit nga ana e Pjong Jangut të një rakete me rreze të gjatë veprimi. Para pak ditësh, Këshilli i Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara vendosi sanksione mbi tri kompani të mëdha koreanoveriore, si ndëshkim për testin. Pjong Jangu reagoi shpejt, duke bërë me dije se nuk do t‘i merrte në konsideratë sanksionet, të cilat, sipas tij, ishin "shkelje e pahijshme e kartës së OKB-së".

"U rivunë në punë centrifugat e fikura të impiantit nuklear pilot, ashtu siç ishte njoftuar zyrtarisht përmes një deklarate të Ministrisë së Jashtme, të datës 14 prill", u shpreh një zyrtar i lartë i Ministrisë së Jashtme të Koresë së Veriut në agjencinë shtetërore të lajmeve të këtij vendi. Kjo ishte edhe data kur Pjong Jangu deklaroi se do të tërhiqej nga bisedimet ndërkombëtare mbi programin e vet nuklear. Zyrtari i Ministrisë së Jashtme tha se rivënia në punë e impiantit "do të kontribuonte në shtimin e fuqisë vetëmbrojtëse të vendit dhe si një kundërpërgjigje ndaj shtimit të kërcënimeve ushtarake që i bëhen vendit nga forca kundërshtare".

Sipas analistëve, veprimi i Koresë së Veriut është konfirmim i dyshimit se shteti komunist ka ndërmend të rikthejë në skenë bisedimet gjashtëpalëshe, negociatat e gjata për çarmatimin nuklear ku qenë përfshirë katër prej fqinjëve të saj më të afërt dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Falë tratativave të mëparshme, Koreja e Veriut kishte çmontuar një pjesë të reaktorit nuklear. Por tani ka vënë në punë pjesën e mbetur të tij, që sipas ekspertëve, mund të jetë e aftë për prodhimin e të paktën një bombe tjetër atomike.

Mendohet se shteti zotëron aq plutonium të pasuruar sa për të prodhuar gjashtë deri në tetë armë nukleare, që do të thotë se në terma imediatë, rivënia në punë e impiantit nuk ndikon shumë në balancat strategjike. Por në Uashington dhe Seul mund të lindin shqetësime mbi të ardhmen e bisedimeve për çarmatim, të nisura në vitin 2003 dhe sidomos problematik mbetet fakti se Koreja e Veriut po vazhdon të armatoset.

Deklarata e Pjong Jangut erdhi pak orë pasi Organizata e Kombeve të Bashkuara vendosi sanksione mbi tri firma që, sipas saj, kishin mbështetur Korenë e Veriut në testimin e raketës me rreze të gjatë veprimi. Nga ana e vet, shteti komunist deklaron se raketa shërbente vetëm për lëshimin në orbitë të një sateliti nga ku do të transmetoheshin këngë patriotike, por ekspertët janë të bindur se ishte një raketë me rreze të gjatë veprimi që ra në ujërat e Paqësorit. Sanksionet shënojnë hapin e parë zyrtar kundër Pjong Jangut që nga çasti kur OKB-ja dënoi zyrtarisht testimin e raketës. Sipas Komitetit të Sanksioneve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, sanksionet e reja ishin vendosur kryesisht me qëllim që të ndalonin Korenë e Veriut të shtinte në dorë teknologji të reja që kanë të bëjnë me programet e raketave balistike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›