Biletë vetëm kthim për emigrantët
Dhjetëra mijëra emigrantë nga Evropa Lindore që gjatë dy dekadave të fundit kishin gjetur jetesë më të mirë në Perëndim, po kthehen në vendet e tyre si pasojë e krizës ekonomike dhe humbjes së vendeve të punës - njoftoi dje e përditshmja amerikane "The New York Times" në një reportazh të zgjeruar. Rumunët, polakët, shqiptarët e të tjerë, po kthehen në atdhe, ku familjet dhe miqtë mund t‘i sigurojnë një jetesë më të lehtë në kohë krize sesa në vendet perëndimore. Ishin me dhjetëra milionë emigrantët që gjatë viteve të fundit u larguan nga Lindja drejt Gjermanisë, Italisë, Spanjës e vendeve të tjera, por një numër i konsiderueshëm i tyre tashmë nuk kanë rrugë tjetër veçse të kthehen në atdhe. Numri i emigrantëve të papunë është aq i madh, sa qeveria çeke vendosi së fundmi t‘u paguajë nënshtetasve të vet emigrantë 500 euro secilit, për të paguar biletën për një kthim me dinjitet në shtëpi. Kompanitë ajrore spanjolle po ofrojnë bileta vetëm vajtje drejt Lindjes, ndërsa qeveria spanjolle po u jep bonuse financiare emigrantëve të rregullt me kushtin që të mos kthehen për së paku tre vjet. Papunësia në Spanjë ka arritur në 17.4 për qind ndërsa në vendet e tjera po rritet me shpejtësi.