E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dublin, 11 ditë debate për demontimin e municioneve

Në kryeqytetin e Irlandës, Dublin, pre 11 ditësh janë mbledhur
përfaqësuesit e 109 qeverive të botës në "Konferencën Diplomatike" për municionet shpërthyese shumë-mbushëse. Qëllimi ishte që të përfundohej një proces i nisur në shkurt të vitit 2007 në Oslo për të ndaluar krejtësisht përdorimin, magazinimin, përhapjen dhe transferimin e këtyre municioneve që kanë pasoja të dëmshme për popullsinë civile. Në Oslo u bë një deklaratë e parë, e cila u pasua nga mbledhje në Vjenë, Beograd, Wellington ku u mor vendimi për të bërë këtë konferencë ndërqeveritare në Dublin për të përfunduar tekstin e një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme për të ndaluar krejtësisht këto municione. Delegacioni i Shqipërisë në këtë konferencë kryesohej nga ambasadori i Shqipërisë në Londër dhe Irlandë Zef Mazi. "Kjo konferencë ka shënuar debate dhe herë-herë edhe tensione midis shteteve, pasi pozicionet kanë qenë të ndryshme, po ashtu interesat ndryshojnë, projektimi i ushtrive në zonat e nxehta dhe të rrezikshme ndryshon, roli dhe pesha që ato luajnë në politikat ushtarake dhe të sigurimit ndërkombëtar ndryshon nga njëri shtet te tjetri. Kështu nuk ka qenë aspak e lehtë", thotë ambasadori Mazi në një prononcim për "Shqip". Sipas tij, kjo konferencë në bazë ka pasur motivin e aspektit humanitar, pra është parë në kontekstin e konventave të Gjenevës për Ligjin Ndërkombëtar Humanitar më shumë se sa negociata politiko-teknike për kontrollin e armëve. Në këtë konferencë, pengesat kryesore në ecurinë e negociatave kanë qenë midis qëndrimeve që të kemi një ndalim total të këtyre municioneve dhe atyre që kërkonin të bëheshin disa përjashtime për disa tipe të veçanta municionesh, të bëheshin përcaktimet e qarta se cila janë këto municione, çfarë do të hynin në to etj. Pas 11 ditë debatesh të zgjatura, në orët e fundit të ditës së djeshme, u zhbllokua situata dhe u ra dakord për një tekst të përgjithshëm konvente që pati miratimin e të gjithëve, pasi përbën bazën më të gjerë të mundshme për kompromis, i përgjigjet deklaratës dhe kërkesave të miratuara në Oslo dhe i shërben qëllimit në përgjithësi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›