E Shtunë, 31 Tetor 2026

E keqja qe kapercen edhe vdekjen

Duke lexuar deklaratën e firmosur bashkërisht nga dhjetëra gazetarë të medias në Shqipëri, në një përpjekje për të denoncuar fushatën denigruese të Kryeministrit Berisha ndaj lirisë së fjalës, sinqerisht u ndjeva keq që nuk ndaj të njëjtin profesion me ta. Sepse ndaj të njëjtin mendim me ta dhe do të firmosja njëlloj si ta atë dokument të së vërtetës.

Si rrallë herë, emrat më të spikatur të gazetarisë shqiptare u bënë bashkë për të denoncuar një rrezik që na kërcënon po të gjithëve bashkë, pavarësisht profesioneve apo bindjeve politike. Reagimi erdhi menjëherë sapo Kryeministri dhe megafonët e tij të çoroditur kryen atë lloj krimi që e dënon çdo ligj, çdo moral njerëzor, çdo religjion, çdo mendje e shëndetshme, ende e paprekur nga tumori malinj i pushtetit me çdo kusht. Deklarimi i Partisë Demokratike mbas vdekjes tragjike të gjeniut të transmetimeve televizive Dritan Hoxha, ishte ajo hakmarrja e vogël dhe e pabesë që i bëhet viktimës mbas vdekjes. Ishte kreshpërimi dhe goditja me shkelm deri dhe mbas atij kufiri që nuk mund ta rrokë mendja njerëzore, ishte dëshmia e radhës se urrejtja dhe hakmarrja e Kryeministrit të rastit të shqiptarëve, kapërcen dhe kufijtë e pakapërcyeshëm të vdekjes.

Dritani i TOP-it nuk ishte armik me Berishën; Dritani ishte mik i fjalës së lirë, ishte partner i ndërtimit të Shqipërisë ndryshe, ishte partizan i integrimit të vendit në familjen evropiane, ishte pionieri i biznesit kurajoz. Për të gjitha këto, ai ishte vetvetiu në anën tjetër të barrikadës me Kryeministrin. Të cilin përveçse e kritikonte, i dha dhe portretin që ai e vuan më shumë se gjithçka tjetër. Dritani e bëri qesharak Saliun, e shndërroi atë në një anekdotë lëvizëse me zë dhe figurë për t‘u thënë gjithë shqiptarëve se e keqja e ka një emër, se e keqja e ka një fund dhe se nga e keqja duhet të ndahemi duke qeshur. Gogoli i djeshëm që trembte fëmijët, falë edhe Tanit të TOP-it, u shndërrua në atë krijesën që tremb zogjtë në mes të fushave të mbjella. Ky është "krimi" i tij i vërtetë, ky është motivi i asaj mërie pafund që Kryeministri ynë që nuk harron, nuk ja harroi as mbas vdekjes.

Në deklaratën e PD-së lexoheshin fjalët shpella dhe Al Kapone, Kore e Veriut dhe Sacra Corona Unita. Një terminologji e preferuar e Kryeministrit që na ka mbyllur në shpella të errëta shpresën, që drejton shtetin si një nga bizneset e Al Kapones, që vjen dhe është ende brenda traditës komuniste koreanoveriore dhe rrethohet nga të përbetuar si mafiozët e Sacra Corona Unita-s.

Ajo ishte një terminologji e njohur që nuk befason askënd, e njeriut që frymëzohet nga vdekja dhe bën pazar edhe me vdekjen kur vjen puna në demontimin e shtetit që ai po e trajton si Gërdecin.

Nuk ka asnjë befasi që Kryeministri u rikthye në origjinën e tij si një nga armiqtë më të përbetuar të medias. Kështu ka qenë, kështu do të jetë! Njëlloj lakuriqi nate që nuk duron ndriçimin e projektorëve të kamerave kritike, që largohet nga drita e së vërtetës së medias së shkruar.

Berisha nuk mund të jetë dot Kim Ir Sen, por do të donte të ishte jetëgjatë sa Enver Hoxha në pushtet e politikë. Ai nuk është Lenin, por ai e lidh emrin e tij me partinë e tij dhe me emrin e tij po e dërgon atë që lindi dikur si parti e shpresës, në një organizatë që kryen mëkatin më të rëndë njerëzor, përdhosjen e vdekjes.

Përpara këtij akti të fundmë të qenies njerëzore, zakonisht ka një moment paqeje. Por fenomeni "Berisha" nuk është i zakonshëm. Ai është prova, le të shpresojmë e fundit, që i është vënë shqiptarëve nga fati. Një provë që duhet të përballohet me dinjitet dhe kurajë.

Sepse Berisha nuk ka ndryshuar. Është po ai që përtej lotëve televizivë për Azem Hajdarin, planifikonte shndërrimin e arkivolit të tij në kryedash për të goditur dhe shqyer portat e pushtetit, është po ai që vdekjen e atyre të mjerëve që vdiqën në Otranto, e shndërroi në sofër të urrejtjes, duke ftuar në gosti të gjitha hienat politike për të ndarë tortën e nesërme të pushtetit.

Është po ai që duke ngushëlluar për vdekjen e një oficeri policie dikur, u thotë familjarëve: Jam i lumtur që po marr pjesë në hidhërimin tuj! Është po ai që gëzohet nga vdekja dhe humbja, është po ai që pasi vret, premton të shërojë plagët.

Për të gjitha këto arsye e shumë e shumë të tjera, u ndjeva keq që nuk munda të firmos në deklaratën e gazetarëve shqiptarë kundër brutalitetit komunist të Kryeministrit tonë edhe koreanoverior, edhe qesharak. Jo për të mbrojtur Tanin e TOP-it! Ai tani prehet në paqe, duke e ditur se në këtë vend, e keqja nuk do të ketë kurrë paqe, duke e ditur se në këtë vend, do të ketë gjithmonë luftëtarë kundër saj, duke e ditur se shpejt do të ndahemi nga kjo e keqe që na ka shoqëruar me zë, vepër të zezë dhe figurë në këto vite të trishtuara të tranzicionit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›