E Shtunë, 31 Tetor 2026

“The Economist”: Masat antikrizë që duhet të marrin qeveritë”

Dy këshilla për drejtuesit e qeverive: Të merren me fuqinë blerëse dhe çlirimin e financave

“0.00 dollarë, duke mos llogaritur karburantin dhe ngarkimin: kjo është kuota më e lirë pikërisht tani nëse doni të dërgoni një konteiner nga Kina Jugore në Europë. Ndërsa në verën e vitit 2007, transportuesi do t’ju kishte caktuar një çmim 1400 dollarë. Transportuesit gjysmë të zbrazur janë vetëm një shenjë e kolapsit botëror të prodhimit. Në Gjermani, porositë për makinat metalprerëse ishin 40% më të ulëta se një vit më parë. Gjysma e rreth 9000 eksportuesve kinezë të lodrave kanë dështuar. Dërgesat e Tajvanit për kompjuterat e dorës kanë rënë me një të tretën në muajin janar. Numri i makinave që u montuan në Amerikë ishte 60% më i ulët në krahasim me janarin e vitit 2008.
Forca globale shkatërruese e krizës financiare u bë e qartë vitin e kaluar. Thellësia e krizës së prodhimit mbetet ende për t’u matur, kryesisht sepse po shihet në terma kombëtarë. Por, në fakt, prodhimi është kapur nga një trazirë globale.
Prodhimi industrial ra në tre muajt e fundit me 3.6% dhe 4.4% përkatësisht në Amerikë dhe Britani (e barazvlefshme me rënie vjetore 13.8% dhe 16.4%). Disa ekspertë vendorë fajësojnë ‘Wall Street’-in dhe ‘City’. Por kolapsi është shumë më i keq në vende që varen më shumë nga eksporti i prodhimeve, që mbështeteshin nga konsumatorët në shtetet me borxhe. Prodhimi industrial i Gjermanisë në tremujorin e katërt ra me 6.8%, i Tajvanit me 21.7%, i Japonisë me 12% — që ndihmoi të shpjegohej se pse PBB-ja e vendit po bie më me shpejtësi se në fillimin e viteve 1990. Prodhimi industrial është i luhatshëm, por bota nuk ka parë një tkurrje të tillë që nga goditja e parë e naftës në vitet 1970—dhe madje edhe atëhere nuk ishte kaq e përhapur. Industria po bie në Europën Lindore, ashtu siç po bën në Brazil, Malajzi dhe Turqi. Mijëra fabrika në Kinën Jugore janë tashmë të braktisura. Punonjësit e tyre shkuan në shtëpitë e tyre në fshat për Vitin e Ri kinez në janar. Miliona nuk u kthyen kurrë në vendet e punës.

Rrëzimi i fabrikave
Pasi shpëtuan sistemin financiar, qeverive po u bëhet thirrje të shpëtojnë gjithashtu dhe industrinë. Prodhimi është ende një punësues i madh dhe tenton të jetë një punësues i dukshëm, i përqendruar në vende si Detroit, Stuttgart dhe Guangzhou. Falimentimi i prodhuesve të famshëm si General Motors (GM) do të ishte një goditje e rëndë e besimit të njerëzve për perspektivën e tyre kur një mungesë besimi po e gërryen tashmë ekonominë. Ndaj, a është e drejtë që t’i jepet industrisë një mbështetje speciale?
Pavarësisht rritjeve të prodhuesve, përgjigjja është jo. Nuk ka zgjidhje pa dhimbje, por ndihma industriale vuan nga dy disavantazhe të mëdha. Një është se programet e qeverisë, të cilat janë të ngadalta për t’u hartuar dhe zbatuar, janë shumë të papërshtatshme për industrinë prodhuese që ndryshon me shpejtësi. Pjesë e problemit ka qenë dhe tharja e tregtisë financiare. Askush nuk e di se sa do të zgjasë kjo.
Një tjetër disavantazh është se ndihma sektoriale nuk i adreson shkaqet kryesore të krizës—një rënie të kërkesës jo vetëm për produktet e prodhuara, por për çdo gjë. Duke qenë se ka shumë kapacitet (sidomos në industrinë e makinave), disa biznese duhet të mbyllen sado ndihmë që qeveria jep për to. Si mund ta dinë qeveritë se cilat firma duhet të shpëtojnë, ose madhësinë e “saktë” për një industri të caktuar? U takon konsumatorëve të vendosin. T’u japësh para industrive që ankohen dhe lobojnë më shumë, mund të jetë e padrejtë dhe e pavlefshme. Të kalosh kërkesën te sektori fatlum që ka fituar ndihmën nga sektori fatkeq që nuk ka arritur të marrë ndihmë, vetëm do ta thellojë trazirën.

Asgjë për të humbur, veç zinxhirëve furnizues

Disa thonë se sektori i prodhimit është special, sepse pjesa e mbetur e ekonomisë varet prej tij. Në fakt, ekonomia është pak a shumë si një rrjet ku çdo gjë është e lidhur dhe në të cilën çdo prodhues është dhe konsumator. Dallimi i rëndësishëm nuk është midis prodhimit dhe shërbimit, por midis punëve produktive dhe atyre joproduktive.
Disa prodhues e pranojnë këtë, por kalojnë menjëherë tek argumenti tjetër: që kriza aktuale po rrezikon në mënyrë të padobishme produktivitetin, punët e specializuara të prodhimit. Sot, çdo lidhje në zinxhirin e furnizimit varet nga të gjitha të tjerat. Prodhuesit e makinave citojnë degën e re të GM, Camaro, që u kërcënua pasi një firmë që prodhonte pjesët plastike falimentoi. Industria e makinave argumenton se humbja e GM-së do të godiste përfundimisht zinxhirin e furnizimit të Amerikës së Veriut. Ndihma, thonë ata, mund të ndihmojë firmat e mira të luftojnë.
Por, në rast se ndihma sektoriale është një humbje parash, atëhere pse të shpëtohet sistemi bankar? Sigurisht jo për të mirën e bankierëve; jo sepse ndihma shtetërore do të krijojë një industri financiare eficiente. Edhe planet shpëtuese me probleme dhe planet e nxitjes, si ato që Barak Obama nënshkroi dy javë më parë, e vënë theksin në rrënjët e problemeve ekonomike: të shpëtohen bankat, pavarësisht situatës ku janë ato, supozohet që të mundësohet dhënia e financimeve për të gjitha firmat; nxitësi fiskal supozohet të rrisë kërkesën përmes kufijve. Teksa prodhimi bie, qeveritë nuk duhet të merren me plane sektoriale. Detyra e tyre e vërtetë është më e gjerë, por jo më pak urgjente: të merren me fuqinë blerëse dhe me çlirimin e financës.

“Albania”, ftesë për debat për dy çështje të reja

Gazeta “Albania” fton lexuesit që të marrin pjesë në debat për dy çështje, për të cilat mirëpret komentet, opinionet dhe analizat:

1- Prona, si mund të zgjidhet problemi në Shqipëri? A duhet të rishikohet e gjithë paketa ligjore që ka miratuar Kuvendi?

2- Përfshirja e të rinjve në politikë: Cili duhet të jetë roli i tyre në zgjedhjet parlamentare të 2009-s?

Për këto dy çështje, ju lutemi na shkruani në adresën e e-mailit: albertgjoka@yahoo.com

3 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›