Duel i fortë
Pas një pauze të gjatë, të dielën nisin garat e stinorit pranveror në Superligën e Kosovës në futboll. Madje, qysh në xhiron e parë të pjesës së dytë të kampionatit, simpatizuesit e futbollit kosovarë do të kenë mundësi t’i shohin disa duele mjaft interesante.
Por, pa dyshim se ndeshja derbi e kësaj xhiroje do të zhvillohet në Mitrovicë, ku kampioni aktual, Trepça do të përballet me Hysin, i cili cilësohet si konkurrenti kryesor i Prishtinës për t’u stolisur me titullin e kampionit.
Mitrovicasit janë të vetëdijshëm që përballë do ta kenë një ekip shumë të fortë, siç është Hysi. Megjithatë, ‘Xehetarët’ synojnë që ta mposhtin ekipin nga Merdari dhe me fitore ta nisin stinorin pranveror, ndonëse Trepça në këtë kampionat nuk është aq cilësore siç ishte në edicionin e kaluar.
“Pa dyshim se do të jetë ndeshje interesante dhe e fortë. Kemi respekt për Hysin, i cili ka ekip të fortë. Por, edhe ne kemi një ekip të mirë. Do të luajmë si vendas dhe presim përkrahje të publikut në mënyrë që ta fitojmë këtë duel. Është shumë e rëndësishme për ne që ta nisim stinorin me fitore”, deklaroi për Express, trajneri i Trepçës, Nazmi Rama.
Mirëpo, edhe bardhezinjtë synojnë t’i rrëmbejnë tri pikë të plota midis Mitrovicës, me qëllim që ta vazhdojnë seriozisht rrugën drejt titullit të kampionit. Pos kësaj, edhe trajneri i ri i Hysit, Genc Hoxha dëshiron që ta nisë me fitore aventurën me ekipin e tij të ri, pasi kjo do të jetë ndeshje debutuese për trajnerin e suksesshëm kosovar.
“Nuk ka kurrfarë dyshimi. Ky takim është i vështirë për ne. Por, ekipi im ka ambicie që t’i bëjë konkurrencë Prishtinës në luftë për titull dhe synimet arrihen vetëm me fitore. Andaj, fitore kërkojmë edhe në këtë takim. Duam ta nisim me fitore stinorin pranveror dhe kemi potencial që ‘i fitojmë pikët e plota në Mitrovicë”, tha Hoxha.
Interesante do të jetë edhe ndeshja tjetër që zhvillohet po në Mitrovicë, ndërmjet Trepçës ’89 dhe Lirisë, sikurse takimi tjetër ndërmjet Flamurtarit të përforcuar dhe KEK-ut. Ndërsa, Ferizaj, që është organizuar paksa gjatë dimrit, do ta presë Besën e Pejës. Interesant do të jetë edhe takimi tjetër ndërmjet dy skuadrave që luftojnë për mbijetesë, Ballkanit dhe Vëllaznimit. Kurse, ndeshja ndërmjet Drenicës dhe Prishtinës është shtyrë për të mërkurën që vjen.
Superliga – xhiroja e 18’të
E diel
Trepça ‘89 - Liria
Trepça - Hysi
Ferizaj - Besa
Flamurtari - KEK-u
Ballkani - Vëllaznimi
E mërkurë
Drenica-Prishtina
Të gjitha ndeshjet zhvillohen në ora 14:00