Duel për mbijetesë
Gjatë kësaj fundjave do të zhvillohet xhiroja e nëntëmbëdhjetë e Superligës së Kosovës në futboll, në kuadër të së cilës do të zhvillohen disa ndeshje shumë interesante.
Ndeshje e tillë pritet të zhvillohet të shtunën në Skenderaj, ku do të përballen dy skuadrat kuq e zi, Drenica dhe Flamurtari - të cilat sivjet po luftojnë me të gjitha forcat për të mbijetuar në elitën e futbollit kosovar.
Madje, të dyja ekipet duan që të fitojnë për herë të parë në stinorin pranveror, pasi në xhiron e parë Drenica dhe Flamurtari janë mposhtur në shtëpitë e tyre nga Prishtina (0:2), përkatësisht KEK-u (1:2).
Shkaku i atyre humbjeve, Drenica dhe Flamurtari akoma më shumë janë rrezikuar për t’u larguar nga Superliga.
Aktualisht Drenica gjendet në vendin e dhjetë të tabelës me 19 pikë, një më pak sesa Flamurtari që gjendet në pozitën e tetë.
“Humbjen e pësuar nga Prishtina tashmë e kemi harruar dhe jemi përqendruar në ndeshjen e radhës ndaj Flamurtarit. Jemi të vetëdijshëm se nuk do ta kemi aspak lehtë. Por, fitorja na nevojitet si asnjëherë më parë. Këtë e dinë edhe vetë futbollistët, shtabi teknik, kryesia e klubit dhe tifozët, prej të cilëve kërkojmë përkrahje”, deklaroi për Express kryetrajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku, i cili është optimist se ekipi i tij do ta mposhtë Flamurtarin.
“Unë kam besim te lojtarët e mi. Me një angazhim maksimal, besoj se ata do ta mposhtin Flamurtarin, ndonëse nuk do ta kenë lehtë dhe i kuptoj për këtë, por fitorja na duhet shumë. S’kemi alternativë tjetër”, theksoi Lushtaku.
Në anën tjetër, kryetrajneri i Flamurtarit, Jusuf Tortoshi, thotë se ekipi i tij do të ishte i kënaqur nëse e nxjerr edhe një pikë të vetme nga kjo sfidë.
“Të dyja ekipet jemi në pozita jo të mira. Jemi diku rreth pesë ekipe që jemi në rrezik. Por, ekipi im nuk do të dorëzohet deri në fund, sepse po mundohemi të përmirësohemi pasi para vetes i kemi edhe 15 ndeshje tjera. Ndaj Drenicës, me një angazhim maksimal, jam optimist se mund ta nxjerrim një rezultat pozitiv. Pra, në ndeshje të tilla të rëndësishme kryesorja është të mos pësosh humbje”, tha Tortoshi.
Kurse ekipin tjetër të rrezikuar, Ballkanin e pret një udhëtim i vështirë pasi do të jetë mysafir i Lirisë në Prizren. Ndërsa tri takime tjera të kësaj jave zhvillohen të dielën, derisa dueli mes dy ekipeve tjera mjaft të rrezikuara, Vëllaznimit dhe Ferizajt zhvillohet të hënën.
Superliga – Xhiroja e 19-të
E shtunë
Liria – Ballkani
Drenica – Flamurtari
E diel
Besa – Trepça
Hysi – KEK-u
Prishtina – Trepça ‘89
E hënë
Vëllaznimi – Ferizaj
Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 14:00