Ide për sezon veror

Sven Goran Eriksson ka thënë se përkrah fuqishëm idenë për zhvillimin e sezoneve të futbollit gjatë verës, njësoj si ato në disa shtete skandinave.
I pyetur rreth përfitimeve nga pushimi dimëror, ish selektori i Anglisë ka thënë se do të dëshironte që sezonet të zhvilloheshin nga marsi deri në nëntor, në mënyrë që futbollistët t’i shfrytëzojnë fushat në gjendjen e tyre më të mirë.
“Dimri nuk është koha e duhur për futboll”, tha menaxheri i Leicester City.
“Nganjëherë pothuajse pajtohem me njerëzit që thonë se duhet të fillojmë në mars dhe të përfundojmë në fund të nëntorit. Sigurisht se fushat në Premierligë janë të mira gjatë gjithë vitit, andaj kjo nuk paraqet problem. Por, te skuadrat e reja në janar dhe shkurt fushat janë të ngrira, të rënda e të lagura. Ju nuk mund të godisni topin në distancë të largët nëse jeni tetëvjeçar dhe ushtroni futboll. Ne nuk luajmë futboll kur do të duhej të luanim futboll, gjatë verës”, shtoi ai.
Mirëpo, ai pranoi se një ndryshim i tillë është vështirë të realizohet, sidomos në Angli. “E kuptoj se kjo është ndoshta e pamundur sepse në Boxing Day ju duhet te keni futboll në vend sepse të gjithë duan të shikojnë futboll”, përfundoi Eriksson.