Torres humbi besimin

Fernando Torres është i bindur se bëri vendimin e duhur për largim nga Liverpool drejt Chelseas, pasi nuk kishte besim te projektet e reja në Anfield Road. Kështu ka thënë sulmuesi spanjoll të premten.
26 vjeçari kaloi në Stamford Bridge për 50 milionë funte në transferimin më të shtrenjtë në futbollin britanik, në ditën e fundit të afatit kalimtar të janarit, dhe tha se është duke u përshtatur mirë në ambientin e ri.
Dështimi i Liverpoolit për të përforcuar ekipin, pas shitjes së futbollistëve si Xabi Alonso, Javier Mascherano, Peter Crouch dhe Alvaro Arbeloa, i përcjellë nga largimi i menaxherit Rafael Benitez, e bindi Torresin se ishte koha për ndryshime.
“E dija se isha idhull i tifozëve, por gjërat nuk ishin më njësoj”, tha Torres për të përditshmen sportive spanjolle Marca.
“Klubi ishte në kaos rreth shitjes. Flitej rreth projekteve të mundshme. Në mënyra të ndryshme më kujtohej (ish klubi) Atletico Madrid me histori të madhe, shumë ide, por pa para. I nevojitej kohë. Unë nuk kam. Njerëzit nuk janë të sinqertë në botën e futbollit. Ju nuk mund ta thoni të vërtetën ose të jeni të qartë me njerëzit. Është biznes dhe askush s’është mik i askujt”, shtoi Torres.
Sa i përket klubit të tij të ri, ai theksoi: “Chelsea ka dëshmuar se ka futbollistë të shkallës së lartë në të gjitha repartet dhe se ata gjithmonë do të jenë konkurrentë pa marrë parasysh çka ndodh, me një pronar i cili investon sa herë që kjo është e nevojshme”. Katër ndeshje të kaluara me fanellën e Chelseas, Torres ende nuk ka shënuar golin e tij të parë për skuadrën e tij të re.
“Nuk kam pritur të jetë lehtë. Kurrë nuk është. Ishte njësoj edhe në Liverpool. Nevojiten dy muaj adaptim për diçka të re. Tifozët më kanë lënë mbresa nga dita e parë. Ata janë pothuajse më tepër entuziastë sesa unë për të realizuar golin e parë”, theksoi Torres.
Ylli spanjoll tha se ishte i befasuar se sa lehtë e pati të përshtatej me bashkëlojtarët e tij të rinj.
“Kam pritur diçka tjetër nga një ekip i mbushur me yje. Këtu kemi lidhje më të ngushta dhe bëjmë shaka mes vete më tepër sesa në Liverpool. Gjithçka është më serioze. Këtu nuk duhet të dëshmoni se jeni profesionist, ajo dihet”, përfundoi Torres.