Dueli, Obama vs Mekein
Edhe pse politika e jashtme dhe e brendshme ishin pikat më të rëndësishme të këtij debati të parë, kriza financiare që ka përfshirë kombin dhe botën ishte dominuese.
Gati gjashtë javë para zgjedhjeve presidenciale në SHBA dy kandidatët për këtë post demokrati Barak Obama dhe republikani Xhon Mekein zhvilluan një duel të ashpër. Debati u zhvillua nën hijen e krizës financiare mbarëbotërore. Në fund të debatit të dy kandidatët e ndien veten fitues.
Politika e jashtme dhe e brendshme ishin në të vërtetë pikat më të rëndësishme të këtij debati të parë. Por sikurse pritej, kriza financiare që ka përfshirë kombin dhe botën, do të ishte qysh në fillim temë e debatit.
Për këtë kandidati demokrat Obama u shpreh kundër politikës për uljen e taksave. Ai deklaroi se është e nevojshme që taksat të jenë të larta për ata që mund t’i përballojnë ato. "Së pari, ne duhet të tregojmë kujdes që procesi të vëzhgohet. Së dyti, ne duhet të sigurojmë që taksapaguesit mund të përfitojnë kur shtohet vlera e aksioneve, së treti, duhet të evitojmë që paratë në vlerë milionëshe t’u jepen menaxherëve si dëmshpërblim dhe së katërti, duhet t'u ndihmojmë pronarët e shtëpive, sepse arsyeja kryesore e problemit është tek paaftësia e tyre që të paguajnë.
Obama këmbënguli se është e nevojshme që SHBA-ja të mos jetë e varur nga importi i burimeve energjitike. Ai deklaroi se ka hartuar një plan që do ta nxjerrë vendin nga kjo nevoje brenda një dekade.
Në fjalën e tij Xhon Mekein ka deklaruar se për të përmirësuar ekonominë në vend ishte i nevojashëm shkurtimi i taksave dhe shpenzimeve shtetërorë. Ai theksoi se me kohë ka shprehur shqetësimin që administrata e Presidentit Bush shpenzon në mënyrë të tepruar taksat dhe ka deklaruar se me ardhjen e tij në pushtet abuzuesit do të përgjigjen para ligjit. Më pas debati është zhvendosur në luftërat që po zhvillon SHBA-ja në Irak dhe Afganistan. Mekein ka deklaruar se duhet të ndryshohet strategjia e luftimit në Afganistan. Ai ka deklaruar se për të pasur një luftë të suksesshme, si në Irak, duhet të dërgohen më shumë trupa në territorin afgan.
"Senatori Obama nuk e kupton ende. Në qoftë se ne në Irak dështojmë, kjo do të bënte të mundur përforcimin e organizatës terroriste të Al Kaedës, duke pushtuar aty kuartierin. Nuk mund të shkohet në luftë me një strategji të dështuar. Ne duhet të ndryshojmë këtë strategji që kërkon më shumë trupa dhe kjo metodë pati sukses në Irak. Tani jemi drejt suksesit në Irak dhe po ndërtojmë një aleat stabël në rajon", - tha Mekein. Duke folur për marrëdhëniet me Iranin, Mekein ka sulmuar rivalin e tij, i cili është shprehur për bisedime dhe kundër vendosjes së sanksioneve. Obama ka mbrojtur idenë e tij të negociatave edhe pse pranoi se Ahmadinexhad ishte njeriu me të cilin nuk do të donte të ulej në një tavolinë.