Sintaksa e një biznesmeni politik
Të nderuar lexues! Sa herë që unë do të shkruaj për ndasitë në kuadër të partive politike këtej avllisë së Shqipërisë londineze, aq herë do të më duhet t’i referohem një paragrafi nga retrospektiva politike, patriotike dhe kombëtare të eruditit shqiptar, të birit të Abdylit, Mit’hat Frashërit.
Thonë se Mit’hati në qeverinë e Ismail Qemal Bej Vlorës kishte qenë ministër dhe, duke qenë i zhgënjyer nga rezultatet e asaj qeverie, kishte braktisur postin që e kishte bartur dhe ishte degdisur në Elbasan, ku kishte parapëlqyer të merret me mësimin fillestar të fëmijëve të kasabasë së lartpërmendur. Këtë paragraf do ta absolvoj në fund të këtij shkrimi, por duke mos bërë paralelizma në mes Mit’hatit dhe ikanakëve të PDSH-së, e para se ikanakët assesi nuk mund të konsiderohen vetëm si politikanë asketikë të papërfillshëm që bëjnë përpjekje t’i ngjiten pushtetit në një mëhallë të Gadishullit Ilirik, ndonëse politika e tyre është e tjetërsueshme dhe që ka mbështetjen e prapavijës së fuqishme e të qëllimshme të politikës maqedonase, ndërkaq largimi i Mit’hatit është një kaptinë e rëndësishme dhe krejt ndryshe.
Kohë më parë një parti politike do të tronditet me braktisjen e “truve” të saj. Ata këtë braktisje do ta arsyetojnë me faktin se ...në kuadër të partisë politike kishin humbur lirinë e të shprehurit dhe hapësirën e demokracisë, kinse kishin humbur lirinë e lëvizjes dhe të drejtën e zgjidhjes së fjalëkryqit politik, një liri e tyre padrejtësisht e nëpërkëmbur, gjithsesi se ata do të thonë se duke qenë politikanë të asaj partie mendimi i tyre paskësh qenë i zaptuar nga mostoleranca e oligarkisë në fjalë, e një demokracie të monopolizuar dhe të pushtuar nga ana e lidershipit të saj. Ata do të pandehin të thonë se kësaj vjeshte duhet të bien kambanat, për të sjellë haberin për magjistarët e rinj shpëtimtarë të politikës së principatave shqiptare, njerëz që do të “ndryshojnë” historinë e zymtë zyrtare të partive politike ekzistuese shqipfolëse këtej nën qiellit të shtetit të Shkupit! Të tjerët, ata të inatosurit nga kjo rrjedhojë do të thonë se të arratisurit janë vetëm kalorës të vonuar të çështjes, apo janë vetëm një produkt fundor që nuk e kanë forcën e mjaftueshme për të trazuar mendjet e autoriteteve, dhe se në instancë të fundit kanë bërë një gabim të rëndë mos me thënë një zgjidhje fatale!
Unë në këtë opinion timin nuk do të jem në kërkim të pse-së, respektivisht të shkakut të “ikjes” të të pakënaqurve, as që do të mëtoj të bëj komentin më të mirë gazetaresk “karshi” divorcit të tyre (sepse tek e fundit një divorc i tillë do të ishte e drejtë e tyre personale dhe pse jo demokratike) e as do të më duhet të hetoj konfliktin tradicional ndër-shqiptar. Do të doja të konstatoj faktin se “lindja” e një partie të re politike është lindje e një makiavelizmi të ri në këtë nën qiell, lindje e përçarjeve, sharjeve dhe komunikimeve konfliktuale. Dhe njerëz të kësaj partie do të shpejtojnë vrapin e tyre për ta fituar (sërish) pushtetin. Unë do të dua që të hetoj prapavijën e “arratisjeve të tyre politike” edhe atë në dy aspekte.
Qëllimi i largimit të tyre, a mos vallë do të karakterizohet me krijimin e një biznesi të re politik, siç do të thoshte Ali Podrimja apo, thjesht është një “largim i porositur” që ka përkrah juridiksionin “shtetëror” të Shkupit, me qëllim të ndërtimit të një “jaranie”(aleance) politike, gjegjësisht një bashkimi mekanik me forcat politike sllavo-maqedonase, me të vetmin qëllim që kjo parti e re politike shqiptare të jetë vetëm një lojtar rezervë në ekipin kombëtar të përzgjedhësit politik të Gruevskit dhe të tillët si ai, një parti politike që do merr një vend në rendin e të privilegjuarve që presin para dyerve të mandatarit…si dhe, të uljes së kostos të besnikërisë personale dhe grupore ndaj personazheve të neveritshme të politikës ditore. E gjithë kjo zallahi, të lë përshtypjen se kjo partive politike të Shkupit do t’iu mundësojë që të zgjerojnë edhe më shumë hapësirën e dufit të tyre politik në kurriz të partive politike shqiptare nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, do të kalbëzojë, nënshtrojë, anashkalojë dhe ngushtojë perspektivat e zhvillimit të mendimit të pavarur politik shqiptar në përgjithësi.
Ata që shikimin politik e kanë mënjanë, respektivisht “sehirxhinjtë dhe sherrxhinjtë” do të thonë se kjo vjeshtë politike shqiptare do të karakterizohet me një nismë të mbrapshtë. Dhe që kjo nismë mos të jetë e tillë, partitë politike shqiptare në Shkup nuk do të duhet që çështjet jetike kombëtare t’i diskutojnë dhe t’i ndërtojnë në emër të një ortakërie politike me ato maqedonase (një gjë e tillë do të ishte një projekt utopik politik), por atë thjesht duhet ta bëjnë në emër të një trupi unik, një trupi që “...do të ngrihet në nivelin e ndërgjegjes kombëtare”, në emër të idealeve dhe aspiratave nacionale, në emër të përgjegjësisë kolektive, me kusht nëse nuk del në shesh njeri, i cili do të thoshte se “është marrëzi të merresh sot me çështje kombëtare”, ndonëse asnjë parti shqiptare deri më sot nuk arriti të ngrihet në atë nivel, me gjithë faktin se gjatë kohë ishin ulur këmbëkryq në krye të minderit politik shqiptar.
Partitë politike ekzistuese politike shqiptare kanë detyrime më prioritare karshi çështjeve të pazgjidhura, duke filluar nga kështjella politike që ka marrë rrugën e rrënimit, ajo e Marrëveshjes së Ohrit, një marrëveshje që sot e kësaj dite si një eveniment që ka nënshkrimet e ndërkombëtarëve, ende nuk gjen vendin e duhur, një marrëveshje fare pak i “sajdisur” që në brendësinë e saj i mungon e vërteta e vërtetës politike, një e vërtetë që ka nevojë të ushqehet së paku nga ana e jonë. Një e vërtetë që nuk guxon t’u mungojë politikanëve, ndonëse me atë ballafaqohen vetëm qytetarët e rëndomtë, dhe kjo e vërtetë, nëse vazhdon t’u mungojë, atëherë do t’u mungojë shqetësimi i tyre i ndërgjegjshëm në refuzimin dhe të rrezikuarit të së ardhmes sonë.
Fundja, shqiptarëve nuk u duhen parti të reja, përkundrazi ata kanë nevojë të ndërtojnë një filozofi të re në të vepruarit dhe të menduarit politik. Ndryshe, nëse kjo do të mungojë, atëherë do të jetë një çështje thjesht teknike, apo kjo politikë do “...mbetet si lëkura e gjarprit nëpër varrezat e braktisura...”. Politikanët tanë duhet ta bëjnë këtë, përndryshe dënimi do t’u takojë atyre, ndërsa pafajësia do t’i takojë popullit.
Mit’hat Frashëri duke “ikur” nga Qeveria e Ismail Qemal Bej Vlorës kurrën e kurrës nuk iu kthye politikës institucionale. Nuk e kishte për shpirt biznesin politik! Njerëz që merren me shprehje proverbiale do të thonë se: “Faji është si puna e qyrkut të përrallës: nuk e vesh njeri”!