Nis aksioni, ndal qumështit të paambalazhuar
Fushatë për ndalimin e tregtimit
Gjatë këtij muaji, 30 të helmuar
Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit ka nisur ditët e fundit një aksion për të ndaluar tregtimin e qumështit të paambalazhuar, i cili përbën rrezik për shëndetin publik. Burime nga ky institucion bën me dije për gazetën “standard” se aksioni ka si qëllim ndalimin e shpërndarjes në këtë formë të qumështit dhe u bën thirrje konsumatorëve të mos përdorin qumësht të marrë në bidonë. Ndërkohë, në spitalet e Tiranës janë paraqitur përgjatë gjithë verës qytetarë të helmuar nga qumështi i paambalazhuar.
Rreziku
Por problemi më i madh vjen pikërisht nga mjediset e tregtimit, tregjet e hapura. Tregjet e improvizuara mund të gjenden në çdo rrugicë të qyteteve të vendit. Ambientet e tyre janë modeste, çka do të thotë se tek një tregtar mund ta blesh mallin në tokë, tek një tjetër mund ta gjesh në një tezgë, e në disa raste edhe në furgona krejtësisht jashtë standardeve të ushqimit. Sipas ISHP-së, nga analizat e kryera mbi këto produkte ushqimore, kontrolli mikrobiologjik rezultojnë mbi normën e lejuar. Në qumësht 48.7 për qind, ndërsa në nënproduktin e tij, në kos 60 për qind. Prandaj, specialistë të ministrisë tregojnë se shihet i nevojshëm aplikimi i sistemit të sigurisë ushqimore në të gjitha prodhimet ushqimore.
Për më tepër, duke qenë se këta tregtarë janë vetë prodhues dhe vetë shitës, paketimi i produkteve nuk mundësohet fare në një pjesë të produkteve, ndërsa gjithmonë sipas shitësve ambulantë, ambalazhimi i produkteve të tyre nuk ka nevojë sepse janë të freskëta. Ndërkohë, ata pohojnë se krijimi i një tregu nga ana e qeverisë për të shitur produktet e tyre do të ishte një ndihmesë për mirëmbajtjen e produkteve.
Bruceloza
Një nga sëmundjet kryesore që vjen si pasojë e qumështit të pakontrolluar është bruceloza. Deri më sot njihen katër specie patogjene të brucellave, nga të cilat përmenden ajo që jep infeksion te gjedhët, më pas është Brucella melitensis, që jep infeksion tek dhitë, dhentë dhe Brucella suis, që jep infeksion te derrat dhe Brucella canis, që jep infeksion te qentë. Njerëzit infektohen me rrugë të ndryshme, duke përdorur qumështin e papërpunuar si dhe produktet e tij, si për shembull djathin e freskët, të fermentuar, në të cilin brucellat qëndrojnë pothuaj 6 muaj. Rëndësi të madhe epidemiologjike ka eliminimi me sasi shumë të mëdha i brucellave në qumështin dhe mishin e kafshëve. Ajo që konsiderohet e rëndësishme nga ISHP-ja, është marrja e produkteve ushqimore të kontrolluara dhe të sigurta. Me pas, shumë i rëndësishëm është përpunimi i qumështit dhe nënprodukteve të tij deri në atë masë sa të mos përbëjë rrezik për konsumatorin.
Kontrollet
Njësitë që tregtojnë produkte ushqimore kanë nisur të jenë në qendër të kontrolleve të Inspektoratit të Sigurisë Ushqimore, me qëllim verifikimin e cilësisë dhe të standardeve të produkteve ushqimore. Burime pranë Ministrisë së Bujqësisë thanë për gazetën se objekt i kontrolleve kanë qenë njësitë e produkteve të qumështit, e sidomos tregjet ilegale. Në to është verifikuar dokumentacioni shoqërues i produkteve ushqimore dhe lëndëve të para, kushtet sanitare e veterinare të ruajtjes, magazinimit, tregtimit të produkteve ushqimore.