Relativiteti i të qenit vetvetja në politikë!
“Unë besoj se reformat në arsim duhet të gëzojnë dyfishin e buxhetit aktual”, – tha Erion Veliaj për gazetaren e emisionit “Puls” në Alsat. Në fakt, Erioni është një nga drejtuesit kryesorë të lëvizjes G99 e cila pretendon të sjellë frymë të re në politikën e vjetër tradicionale.
Besian Pesha një nga miqtë e vjetër të Mjaft-it dhe Erion Velia si ish-drejtues i saj, disa ditë më parë në faqet e një të përditshmeje i kujtonte këtij të fundit se tashmë ishte vënë në radhë me politikanë të vjetër ndaj të cilëve bashkë dikur kishin menduar se nëse ata do të largoheshin nga politika, shoqëria do të ndiente çlirim.
Por, personalisht besoj se e keqja nuk qëndron në këtë fakt të cilin e transmeton me të drejtë Besian Pesha (i dalë dhe formuar me Mjaft-in dhe sot drejtues i Lëvizjes Socialiste për Integrim) kjo, sepse askënd dhe askujt nuk kemi të drejtë ta largojmë nga politika pa pushtetin e votës.
Fakti që Erion Veliaj në shembullin e paraardhësve të tij po u referohet politikave dhe pozicioneve të grupimit që drejton si të ishin programe të një kompanie private të zotëruar prej tij, është premisa bazë që të bën të besosh se nuk do të kemi asgjë të re nga fronti i kësaj lëvizjeje!
“Unë”, – kanë thënë, thonë edhe sot Nano, Berisha, Gjinushi, Mediu, Meta, Pollo etj. kur bëjnë me dije pozicionimet e partive të tyre ndaj temave apo programeve të caktuara publike dhe kështu po bën së fundi edhe Erioni i lëvizjes G99.
Kjo në fakt është një “sëmundje” më e vjetër se pluralizmi në Shqipëri dhe të gjithë ne shpresonim që grupimet si të Erionit dhe të tjerëve të diplomuar në Perëndim të përfaqësonin një frymë të re pikërisht ndryshe nga këta stereotipa...
Të kuptosh vetveten politikisht.
Një skepticizëm i tillë ndaj këtyre figurave publike bëhet më i fortë kur kemi të bëjmë me një shoqëri në zhvillim, e cila vjen pas dekadash materialiste të një komunizmi specifik, ku roli kryesor i jepej gjithmonë dhe për gjithçka partisë dhe udhëheqësit të saj komunist, i cili ishte “Zoti” i ri i tokës.
Jo në pak raste, individë të caktuar merreshin nga periferia gjeografike, urbanistike dhe kulturore dhe viheshin në krye të partisë dhe pushtetit dhe nga “askushi” përfundonin në “dikushi” i cili, ose e cila, kishte mundësi të rregullonte familjen dhe farefisin në një jetë më të mirë dhe në qendër të vëmendjes së publikut.
E gjitha kjo “arritje” e paimagjinueshme më parë për ta, vinte papritur vetëm në sajë të udhëheqësit të madh ateist, i cili bëhej “Zot i tokës” për ta dhe familjet e tyre që pa dyshim e adhuronin atë tashmë më shumë se Zotin e vërtetë.
Askush nuk mund t’ua shante, kritikonte atyre “Zotin” e ri sepse rrezikonin të denoncoheshin, burgoseshin, torturoheshin dhe vriteshin! “Zoti” i ri, diktatori pra, ishte i paprekshëm dhe i pathyeshëm në atë kohë pikërisht prej kësaj kategorie njerëzish të cilët duke u kujdesur për diktatorin, ruanin atë çka kishin tashmë të tyren në mënyrë të pamerituar.
Po, ndoshta ata kishin humbur shumë nga qetësia shpirtërore e mëparshme, por kishin fituar kryeqytetin, shtëpi, pushtet, krenari ndaj familjarëve dhe fëmijëve të tyre, të cilët nëse i humbin të gjitha këto “arritje” pa dyshim që do t’i urrenin prindërit e tyre paskëtaj...
Të reflektosh për vetveten politikisht sot
Në fakt, në vëmendjen e kujdesshme të lexuesve të politikës së sotme nuk kanë shpëtuar pa u vënë re aktivitetet e Forumit për Demokraci dhe Etikë (FDE) një lëvizje tjetër simpatike simotër e G99-ës e drejtuar nga Arian Galdini, por që nuk zë shumë vend në faqet e gazetave apo mediave elektronike.
Në fakt, kjo lëvizje (FDE) organizon takime mujore të përhershme në të cilat diskutohet me racionalizëm për një politikë shqiptare më të ndershme, pa tensione, pa dhunë, pa pragmatizëm të tejskajshëm, por me dialog dhe me largpamësi për më të mirën e përgjithshme.
Ata nuk qëndrojnë jashtë të majtës dhe të djathtës, por kërkojnë që të bashkojnë këta të fundit në tryeza të përbashkëta dialogu konstruktiv për më të mirën e të gjithëve. Në këto takime publike nuk kanë munguar figura të rëndësishme, politike, kulturore dhe shkencore.
Por, duke iu referuar mungesës së kësaj lëvizjeje në vëmendjen publike dhe gjithashtu faktit që në të kundërt G99-a dhe Erion Veliaj zënë shumë hapësirë në vëmendjen publike, them se duhet reflektuar për arsyet e mundshme.
Një mik i vjetër i Erion Veliajt, Besian Pesha, e cilëson atë që po bën lëvizja G99 si kontribut për të lartësuar kultin e pronarit të PS-së, Edi Ramës! Në fakt, kështu G99-a humb nga identiteti politik i munguar në historinë tonë politike, por ka fituar hapësira të mëdha mediatike dhe sigurisht të ardhura.
Me këtë konkluzion, nëse FDE-ja, që duket më afër Partisë Demokratike dhe liderit të saj Sali Berisha, do t’i qëndrojë akoma identitetit të saj politik, edhe ky i munguar në historinë tonë politike, apo do të rreshtohet... këtë do ta tregojë më së miri hapësira që do t’i japë kësaj të fundit shtypi dhe mass media...