Kolonel Ahmet Krasniqi - strateg dhe vizionar i pashoq
U bënë plot dhjetë vite që kur plumbat e tradhtisë u zbrazën në trupin e atdhetarit, ushtarakut dhe kolonelit Ahmet Krasniqi. Kosova mbeti pa ministrin e parë të Mbrojtjes, ne mbetëm pa shokun dhe kolegun tonë të shtrenjtë, familja e tij pa më të dashurin e vet. Strateg dhe vizionar i pashoq i artit ushtarak, i lindur në kohët më të vështira në të cilat kalonte kombi, në një familje shumë të shquar të Zhilivodës patriotike, i rritur me sakrifica dhe varfëri, i përndjekur dhe i përbuzur, ia doli të kryente shkollat më të larta në armatën jugosllave. Kur flakët e luftës e përfshinë Slloveninë, Kroacinë e Bosnjën, ai e ndihmoi Kroacinë në ngritjen e ushtrisë së saj, pa u inkuadruar në majat e pushtetit dhe ushtrisë kroate, sepse synim e kishte popullin e vet dhe Kosovën. Në këtë pritje, atij iu desh që të mbijetonte. Kreu punë të vështira nëpër Kroaci, si punëtor krahu, duke u përkujdesur për familjen, në veçanti për shkollimin e fëmijëve, Teutës dhe Florentit. Kur flakët e luftës iu afruan Kosovës, ai nuk u hamend dhe pa asnjë hezitim iu përvesh punës në organizimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës. Me fillimin e shpartallimit të Jugosllavisë, pjesa e ndërgjegjshme e oficerëve shqiptarë e braktisi armatën jugosllave. Pjesa dërrmuese e tyre u strehua në Zvicër dhe Gjermani. Prej vitit 1991, edhe pse në rrethana bukur të vështira, herë me mbështetje nga qeveria në egzil, e më shpesh pa mbështetje të saj, me një ndërgjegje dhe përkushtim të pamohueshëm, oficerët shqiptarë në këto shtete, me mbështetje edhe nga kolegët e tyre në shtetet e tjera, iu përveshën punës në organizimin e sistemit të mbrojtjes të Kosovës. Me gjithë kushtet e vështira të veprimit, u bë një punë e mirë dhe me fillimin e rezistencës së armatosur në Kosovë, erdhi momenti i shumëpritur që të kryheshin veprimet e para taktiko-operative në terren. Me kalimin në shkallë më të lartë të veprimeve, duke i studiuar dhe vlerësuar rrethanat e përgjithshme, posaçërisht duke vlerësuar realisht potencialin e armikut, vendosëm që detyrën e ushtarakut më të lartë të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës t’ia besonim kolonel Ahmet Krasniqit, gjithnjë duke u bazuar në përgatitjen e tij profesionale, të kaluarën patriotike të tij, familjes së tij, e në veçanti përkushtimit të tij për të luftuar deri në sakrificë. Vlerësimi dhe vendimi ynë ishte me vend dhe shumë i qëlluar. Ishim të bindur se me kolonel Ahmet Krasniqin do të ndërtonim një ushtri moderne, çfarë i nevojitej Kosovës. Në pranverën e vitit 1998, kolonel Ahmet Krasniqi, së bashku me shumicën e bashkëpunëtorëve, kaloi në Shqipëri me qëllim fuqizimin e Forcave të Armatosura. Vështirësitë që haseshin në Shqipëri nga grupe të llojllojshme, sabotimet e përditshme dhe sistematike që bëheshin, nuk na trembnin. Por, siç dëshmoi koha më vonë, me gjithë përpjekjet sistematike të kreut të Shtabit të Ministrisë së Mbrojtjes për sistemimin dhe unifikimin e rezistencës ushtarake, gjërat me kalimin e kohës morën rrugë jo të mbarë. Shantazhet, sabotimet, shpifjet, pengesat, kërcënimet me likuidime, na u bënë përditshmëri. Në këto kushte dhe rrethana, qe bërë gati e pamundshme kalimi në faza më të larta të organizimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës. Vetëm vullneti i madh, detyrimi dhe dashuria ndaj popullit dhe atdheut, na shtynin pandërprerë që të bënim lëshime dhe sakrifica të cilat asnjë ushtarak i shkolluar i asnjë ushtrie në botë, as në rrethana lufte e as në rrethana paqeje nuk do t'i bënte. Përkundër lëshimeve të shumta, të cilat bëheshin me qëllim unifikimi dhe ndërgjegjësimi të njerëzve, pasi që ishim para rrezikut të shfarosjes tërësore të qenies sonë biologjike, një pjesë jo e ndërgjegjshme e njerëzve tentonin dhe vepronin pareshtur në shkatërrimin e institucionit të Ministrisë së Mbrojtjes, me qëllim të dominimit të tyre në skenën politike dhe ushtarake. Kur të gjitha këto trysni nuk bënë punë, planet vrastare antikombëtare u zbatuan ndaj stafit udhëheqës të Ministrisë së Mbrojtjes, e në veçanti ndaj kolonelit tonë, Ahmet Krasniqi. Fatkeqësisht, këto plane ogurzeza të përpiluara në kuzhinat më antikombëtare, dreqi e merr vesh prej sa e sa shërbimeve, u realizuan me ekzekutimin e kolonel Ahmet Krasniqit, para 10 viteve, mu në zemër të Tiranës, para syve të shërbimit inteligjent të qeverisë shqiptare. Me vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit u zvogëlua mundësia për ngritje në nivel të lartë të një force moderne ushtarake të Republikës së Kosovës. Fatkeqësisht, me vrasjen e tij shumëçka mori tatëpjetën. Kaluan dhjetë vite. Ekzekutorët dhe urdhërdhënësit e ekzekutimit të Ahmet Krasniqit nuk u zbuluan për t'u gjykuar dhe për të marrë dënimin e merituar. Shumë gjëra kanë mbetur pezull. Një nxjerrje para drejtësisë të kriminelëve dhe shkuarja e drejtë e historisë, do të lehtësonte sadopak dhembjen për humbjen e kolonel Ahmet Krasniqit. Shpresojmë se drejtësia e shtetit shqiptar do të nisë procedurat për zgjidhjen e kësaj vrasjeje të bërë nga tradhtarët e kombit. Me një gjykim të drejtë, shumë gjëra, shumë paturpësi, shumë tradhti, do të dalin në sipërfaqe dhe populli do të ketë një pasqyrë të vërtetë të rrjedhave të përgjithshme të kohës së luftës, sepse historia me rrena, mashtrime e krime nuk shkruhet. Emri dhe vepra e kolonel Ahmet Krasniqit do të jetë e shkruar me shkronja të arta në historinë e popullit shqiptar. Lavdi jetës dhe veprës së kolonel Ahmet Krasniqit!