Athina, maqedonasit dhe çamët
Kryeministri i ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Nikola Gruevski, gjeti mënyrën më të mirë të mundshme për të ndërkombëtarizuar çështjen e maqedonasve të larguar me dhunë nga trojet e tyre në Greqi në vitet 1946–1949.
Letrës së tij publike, Kryeministri i Greqisë, Kostas Karamanlis, iu përgjigj qartë dhe prerazi, duke i thënë homologut maqedonas se të kërkosh politikisht nga e shkuara të drejtat e maqedonasve është - sipas tij – t’i shmangesh thelbit të problemit për të ardhmen e integrimit në NATO dhe BE!
Ministrja e Jashtme e Greqisë, Doras Bakojanis, gjithashtu duke mbajtur të njëjtën linjë me Kryeministrin e saj, informoi partnerët euroatlantikë për këtë tentativë - sipas saj - anakronike maqedonase me sytë nga e shkuara. Por, në letrën e tij, Gruevski nuk kërkonte veçse standarde evropiane për maqedonasit: kthim në territoret e tyre, kthim të titujve të pronësisë dhe padyshim status pakice brenda Greqisë.
Kjo ndodh për më tepër kur burime të ndryshme në media kanë bërë me dije se edhe familja e Kryeministrit maqedonas Nikola Gruevski, i përkiska kësaj pjesë të popullsisë maqedonase të Greqisë.
Reagimet nga Evropa dhe NATO tashmë janë bërë publike dhe ata kanë qartësuar se një problematikë e tillë ka dimension vetëm bilateral, por askush prej tyre nuk tha, siç thotë Athina që kjo çështje nuk ekziston!
Askush nuk mund të harrojë se argumentet e Athinës në lidhje me emrin e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë kanë të bëjnë gjithashtu me historinë e së shkuarës dhe traditës së shtetit grek, i cili ka territore me të njëjtin emër.
Tashmë institucionet euroatlantike janë të informuara edhe për këtë temë delikate të lënë jashtë axhendës për mjaft kohë (deri në momentin që vetë Athina zyrtare ua bëri me dije) megjithëse kjo popullsi ka prej kohësh një parti politike zyrtare në Greqi.
Rasti i çamëve
Historia e maqedonasve në parim është e ngjashme me atë të popullsisë çame të dëbuar po më dhunë nga trojet e tyre në Greqi rreth viteve 1944–1945 dhe këta të fundit që me ardhjen e pluralizmit në Shqipëri nuk kanë reshtur së kërkuari drejtësi për rastin e tyre.
Së fundi me dimension edhe partiak (Partia për Drejtësi dhe Integrim, PDI) popullsia çame dhe Shoqëria “Çamëria”, të cilat janë organizime publike që kanë në gjirin e tyre mjaftë përfaqësues të këtij komuniteti vital shqiptar, vazhdojnë jetën e tyre socio-politike në Shqipëri.
Kërkesat e tyre janë në mënyrë perfekte të njëjta me ato që Kryeministri maqedonas, Gruevski, kërkonte në letrën e tij drejtuar Kryeministrit grek, Karamanlis: kthim në trojet e tyre në Greqi, titujt e pronësisë dhe status pakice.
Z. Shpëtim Idrizi, deputet çam i Partisë Socialiste edhe këtë vit mbajti fjalimin e tij tashmë tradicional në tempullin e demokracisë së brishtë shqiptare. Idrizi iu bëri thirrje autoriteteve shtetërore shqiptare të impenjoheshin për rastin e çamëve dhe respektimin e të drejtave të tyre.
Edhe këtë rast deputeti socialist Shpëtim Idrizi u duartrokit nga kolegët e tij parlamentarë si një vit më parë, ndonëse akoma edhe sot që po shkruajmë këtë artikull, ai së bashku me kolegët e tij nuk kanë aprovuar një rezolutë të mbetur pezull në zyrat e po të njëjtit Parlament që nga koha e Kryeministrit Fatos Nano.
Sipas opinionit tim personal kësaj popullsie kompakte në disa dimensione i duhet akoma shumë punë për të bërë të mundur të “detyrojnë” Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, të bëjë diçka të ngjashme me atë të Gruevskit për maqedonasit për rastin e tyre.
ǒduhet bërë?
Besoj se të gjithë e dimë se në politikë njihet vetëm rruga e imponimit. Shpëtim Idrizi në një emision televiziv mjaft të ndjekur në TV Klan tha se çamët nuk duhet të shohin të majtë dhe të djathtë, por të gjejnë të gjitha rrugët e mundshme pa dallim krahu politik dhe nëpërmjet Partisë për Drejtësi dhe Integrim të zgjidhin kauzën e tyre!
Por, a nuk duhet vallë që z. Idrizi ta nisi nga vetja? Indrizi që është krenar për traditën e tij familjare çame nuk duhet të flasë në veten e tretë për çamët. Ai duhet të mendojë çfarë duhet të bëj personalisht që të jetë përfaqësues parlamentar i tyre!
A nuk do të ishte më racional si deputet i deklaruar i Çamërisë në vend, që të mbajë fjalime retorike në këtë tempull? Besoj apriori se do të ishte më mirë t’i afrohej vetë PDI-së dhe të merrte përgjegjësi institucionale karshi kauzës së drejtë çame.
Një akt i tillë i përgjegjshëm moralisht dhe politikisht do të sillte një risi në historinë e Komunitetit Çam, i cili nuk është pa probleme. Për më tepër, kjo mund të ofronte mjaft intelektuale të tjerë çamë, të cilët për arsye të ndryshme qëndrojnë akoma larg kauzës.
Kështu pas këtij hapi të përgjegjshëm padyshim që do të kishim të bënim me një nisje të re, e cila do të mund të bënte që çamët të përfaqësoheshin institucionalisht në Parlamentin e ardhshëm të shtetit shqiptar, duke iu imponuar politikës zyrtare të Tiranës në lidhje me çështjen e tyre të drejtë.
Vetëm me fjalime dhe qëndrime brenda organizimeve të tjera politike nuk mund të bëhesh kurrë eficent për t’iu imponuar Tiranës, jo më Athinës dhe padyshim bindur komunitetin ndërkombëtar. Kjo duhet nisur nga formati intelektual dhe politik i Komunitetit Çam. Të tjerat mund të marrin udhën e drejtë vetëm paskëtaj.