Dueli i kampionëve

Para katër muajsh, Chelsea ngriti trofeun në Munich pas fitores me penallti ndaj Bayernit, kurse sonte fillon edicioni i ri i Ligës së Kampionëve. Gara elite e klubeve të kontinentit të vjetër fillon me një super-përballje të kampionit të La Ligës, Real Madrid dhe atij të Premierligës, Manchester City, takim i vlefshëm në kuadër të Grupit D.
Gjiganti madrilen para fillimit të këtij sezoni kishte paralajmëruar sulmin për tituj, por nuk ka bërë një nismë të mbarë në La Liga, ku ka tubuar vetëm katër pikë nga 12 të mundshme. Trajneri Jose Mourinho do të kërkojë nga futbollistët e tij të këndellen kundër Cityt. Por, fitorja ndaj gjigantit anglez nuk do të jetë aspak e lehtë edhe duke llogaritur serinë pozitive në të cilën gjendet skuadra e Roberto Mancinit, që nuk është mposhtur në ndeshje zyrtare nga mesi i prillit. Të dyja skuadrat kanë armët e veta. Yaya Toure sa ishte me Barcelonën ka ditur të festojë në Madrid, kurse Reali gjatë verës solli Luka Modriçin, i cili ka përvojë nga duelet me Cityn. Po ashtu Mourinho e di mirë se çfarë futbolli luhet në Angli.
“Fitorja në Madrid do të ishte një përvojë e veçantë për të gjithë ne”, deklaroi Toure. Por, mbrojtësi i Realit, Marcelo ka deklaruar: “Duhet të mposhtim Cityn, kjo është e domosdoshme”. Real-City do të jetë përballja më interesante e mbrëmjes, por në kuadër të po të njëjtit grup takohen edhe Borussia Dortmund-Ajax Amsterdam. Skuadra e super-përforcuar, Paris Saint-Germain me në krye sulmuesin Zlatan Ibrahimovic pret Dynamo Kievin. Kurse, Dinamo Zagrebi i Fatos Beqirajt është nikoqir i Portos. Këto janë çiftet e Grupit A.
Arsenali është mysafir i kampionit të Francës, Montpellier, kurse Olympiakosi pret Schalken në Grupin B. Milani nuk po kalon në formë të mirë në Serie A, por do ta kërkojë fitoren kundër Anderlechtit, kurse në duelin tjetër të Grupit C, Malaga pret Zenit St Petersburgun.
Grupi A
Dinamo-Porto 20:45
PSG-Dynamo K 20:45
Grupi B
Montpellier-Arsenal 20:45
Olympiakos-Schalke 20:45
Grupi C
Milan-Anderlecht 20:45
Malaga -Zenit 20:45
Grupi D
Borussia D-Ajax 20:45
Real M-Man City 20:45