E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfehet Graniti

Granit Xhaka e ka thyer heshtjen. 19 vjeçari ka treguar versionin e tij dhe arsyet që e shtynë t’i bashkohej përfaqësueses së Zvicrës. Mesfushori kosovar pohon se ishte munduar shumë ta siguronte një fanellë të Shqipërisë. Por, ai ankohet se Federata Shqiptare e kishte vënë në telashe të panevojshme, edhe pse ishte e vetëdijshme se Zvicra me ngulm i kërkonte shërbimet e tij. Andaj, prishtinasi u ka bërë thirrje tifozëve shqiptarë të mos e quajnë ‘tradhtar’, ngase me krenari thotë se ka rrënjë e gjak shqiptari.

Granit Xhaka e ka thyer heshtjen. Mesfushori kosovar ka vendosur ta tregojë versionin e tij, sipas të cilit ishte detyruar ta veshë fanellën e Zvicrës e jo atë të Shqipërisë – për çka 19 vjeçari kohëve të fundit është kritikuar me të madhe nga tifozët shqiptarë, madje edhe duke u quajtur ‘tradhtar’.

Bile Xhaka nuk ishte kursyer së kritikuari as nga vetë kryetari i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armando Duka. Por, mesfushori i Borussia Monchengladbach nëpërmjet një letre të hapur thotë se pikërisht Duka është fajtori kryesor që Shqipëria e humbi atë, por edhe shumë futbollistë tjerë shqiptarë si Xherdan Shaqirin, Valon Behramin etj., pavarësisht dëshirës së tyre për t’u veshur kuq e zi.

“Që kur kam vendosur të luaj futboll, për mua ka pasur vetëm një ëndërr dhe ideal: ‘përfaqësimi i ngjyrave të kombit tim’. Do të ishte dhe është ëndërr dhe krenari për mua, ashtu si për çdokënd besoj, të luaja përkrah bashkatdhetarëve të mi, e për më tepër për atdheun tim, por mungesa e kontaktit dhe e kërkesës e më pas refuzimi i vazhdueshëm nga FSHF (pas përpjekjeve të panumërta të mia dhe familjes sime për ta veshur fanellën kuq e zi) më shtynë drejt skuadrës kombëtare të Zvicrës, kërkesat e së cilës si për ironi nuk reshtnin”, shkruan Xhaka në letrën e hapur të tij.

“Në një kohë kur unë kërkohesha urgjent nga Federata e Zvicrës, Federata ime, e vendit tim, më sprovonte duke më vënë përballë pengesave tërësisht të panevojshme, e mbi të gjitha dashakeqe. I vendosur përballë refuzimit të vetë FSHF-së (as FIFA nuk ka qenë pengesë) dhe presionit për ta marrë një vendim, m’u desh të vendosesha në radhët e kombëtares ku jam rritur dhe formuar, e megjithatë ju garantoj se në çdo ndeshje kam festuar kuq e zi dhe kam mbajtur krenar simbolet kombëtare”, ka Xhaka pa sqaruar se për çfarë lloj pengesash kishte fjalën.

Andaj, ai u është drejtuar tifozëve shqiptarë duke ua tërhequr vërejtjen se nuk e meriton të quhet ‘tradhtar’. Ai ka ritheksuar se mburret me faktin që ka gjak e rrënjë shqiptari, e njëkohësisht i ka falënderuar prindërit e tij që e kanë mësuar dhe edukuar që gjatë gjithë jetës së tij ta respektojë, nderojë dhe dashurojë atdheun dhe kombin e tij.

FSHF-ja nuk ndihet fajtore

Ky rrëfim i Granit Xhakës nuk e bën Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) të ndihet fajtore për humbjen e 19 vjeçarit dhe disa futbollistëve tjerë shqiptarë. Menaxheri i FSHF-së, Redi Jupi, insiston se Xhaka dhe të tjerët nuk dëshironin të luanin për Shqipërinë.

“Unë di t’ju them se me Xhakën dhe familjen e tij kam punuar personalisht më shumë se dy muaj për ta sjellë në ekipet tona kombëtare. Kam folur me babanë e tij jo vetëm për Granitin, por edhe për Taulant Xhakën dhe ata nuk donin që të vinin të luanin për Shqipërinë”, ka thënë Jupi për Panorama Sport.

“Ata nuk kishin as pasaporta kosovare dhe as shqiptare, ndërkohë që kishin luajtur për ekipet zinxhir të Zvicrës dhe zviceranët po punonin intensivisht për t’i mbajtur. Tentuam me anë të mamasë së tyre, e cila kishte prejardhje nga një fshat i Kukësit. Punuam shumë me avokatin e familjes, por në fund nuk u zgjodh asgjë. Tani unë nuk di t’ju them me saktësi nëse kjo ishte edhe dëshirë e Xhakës dhe e familjes së tij për të luajtur për Zvicrën dhe jo për Shqipërinë, pasi e kam të vështirë të futem në mendjen e njerëzve”, ka pohuar ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›