E Shtunë, 31 Tetor 2026

Osama Bin Laden, sërish mesazh për popullin amerikan

11 minuta për të kujtuar 11 shtatorin. Bin Laden është rikthyer për të kërcënuar në një mesazh audio tre muaj pas regjistrimit të fundit. Sheiku i terrorit u shfaq në internet vetëm tri ditë pas 11 shtatorit. Në mesazhin e titulluar "Deklaratë për popullin amerikan", Osama Bin Laden thotë se Presidenti amerikan, Obama, është i pafuqishëm dhe i paaftë për të ndalur luftën në Irak dhe Afganistan. "O popull amerikan, ju flas sot për t‘ju kujtuar shkaqet e 11 shtatorit dhe atë çka pasoi pas kësaj, si luftëra dhe veprime tiranësh dhe për t‘ju folur se cilën rrugë duhet të ndiqni për të zgjidhur këto probleme. Në veçanti dua t‘ju kujtoj rolin atyre që u goditën nga këto ngjarje dhe tani kërkojnë hapjen e hetimeve për të njohur shkaqet", theksohet në pjesën e parë të regjistrimeve. Më tej, ai sulmon ashpër Presidencën e re, ku, sipas tij, në Amerikë asgjë nuk ka ndryshuar. Ai paralajmëroi se ka ardhur koha që amerikanët të çlirohen nga frika, terrorizmi ideologjik i neokonservatorëve dhe Izraeli. "Arsyeja e mospajtimit me ju qëndron te mbështetja ndaj aleatit tuaj Izraelit, bashkë me të cilin po pushtoni Palestinën". "Nëse reflektoni për situatën ku ndodheni, do të kuptoni se Shtëpia e Bardhë është pushtuar nga një grup njerëzish dhe prandaj duhet ‘çliruar ajo e para‘". Sheiku duket i informuar mbi të gjitha dyshimet e opinionit publik amerikan: "Nëse zgjidhni shpëtimin dhe fundin e luftës, në Afganistan dhe Irak, ashtu siç thonë sondazhet, atëherë edhe ne do të jemi të gatshëm t‘ju përgjigjemi".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›