E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duhanpirja, ISHP: Të rritet me 10% çmimi i cigareve

Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik ngrenë shqetësimin e rritjes së numrit të duhanpirësve në vend, duke parë si zgjidhje, për të frenuar sadopak këtë fenomen rritjen e çmimit të cigareve. Koordinatori i ISHP-së, Roland Shuperka shprehet se ka tendencë të rritjes së duhanpirjes në vend, dhe për këtë arsye ai bën të ditur se do të ngrihet një grup Task-Force në gjithë Shqipërinë, për të parë sesi është zbatuar ligji anti-duhan. Megjithëse ka shtuar se zbatimi i tij në vendin tonë është i vështirë, Shuperka pohon ndër të tjera se çmimet e paketave të cigareve në vend janë të ulëta dhe se rritja me 10% të çmimit, do ta ulë me 8% nivelin e duhanpirjes. “Ka tendencë të rritjes së duhanpirjes, sidomos mosha prej 13-15 vjeç shfaq më shumë tendencë për pirjen e duhanit”, - shprehet specialisti i ISHP-së. Në fakt, edhe më parë, nëpërmjet studimeve të ndryshme është bërë e ditur se shqiptarët shpenzojnë 1.4 milionë dollarë në ditë për cigare, duke bërë që ata të jenë ndër duhanpirësit më të mëdhenj në Europë. Në raport me popullsinë, shqiptarët kanë arritur nivelin e turqve, një ndër vendet me numrin më të lartë të duhanpirësve në Europë. Nga ana tjetër është rritur numri i duhanpirësve femra. Tendenca nuk është më risi, por shqetësim mbetet cigarja e parë, mosha e konsumit të së cilës është ulur. Pavarësisht numrit të madh duhanpirësve, vihet re një ndërgjegjësim i tyre për konsumimin e duhanit. Për të parandaluar sa më shumë fenomenin e duhanpirjes, qeveria shqiptare në dy vitet e fundit ka rritur akcizën e cigareve, duke e çuar aktualisht çmimin minimal të një pakete në 150 lekë. Kjo, sipas specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik, po çon rritjen e numrit të personave që duan të lënë duhanin nga shtresat e varfra dhe të mesme.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›