E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liceu Artistik, çel sot siparin e koncerteve për 65-vjetorin e tij

SHKRUAN: Jonida Tashi 23-02-2011 11:14

“Artisti në veprën e tij duhet të jetë si Perëndia, në krijimin e tij të padukshëm dhe i gjithëfuqishëm, çdokush duhet ta ndiejë atë kudo, por pa e vënë re kurrë”. Me këtë citat të Gustav Flaubert nis ftesa që shkolla e mesme kombëtare artistike “Jordan Misja” u ka drejtuar personaliteteve më të rëndësishme të vendit, për të marrë pjesë në koncertin e sotëm artistik që do të zhvillohet tek Akademia e Arteve. Shkolla kombëtare artistike “Jordan Misja” në kryeqytet do të çelë sot pasdite siparin e aktiviteteve që do të zhvillohen në kuadër të 65-vjetorit të krijimit të Liceut Artistik. Ndonëse duhen ende edhe plot tetë muaj deri në nëntor, që Liceu Artistik të mbushë 65-vjeç, drejtuesit e kësaj shkolle, si asnjëherë tjetër, kanë vendosur që këtë vit të organizojnë një sërë aktivitetesh artistike jo vetëm për kënaqësinë e nxënësve dhe të mësuesve, por edhe publikut të gjerë. Kështu, nxënësit e shkollës artistike “Jordan Misja” do të ngjiten sot në orën 18.00 të pasdites në skenën e përgatitur për ta në ambientet e Akademisë së Arteve, për të performuar live për publikun. Organizatorët e këtij aktiviteti tregojnë ekskluzivisht për gazetën “Mapo” disa nga detajet më pikante të tij. Sipas tyre, ideja për nisjen e këtyre veprimtarive artistike përkon me 65-vjetorin e krijimit të Liceut Artistik. Në kuadër të këtij aktiviteti, sot do të zhvillohet i pari në radhën e të programuarve për muajt në vijim, ku do të marrin pjesë solistë, violinistë, ndërsa do të jepen edhe disa karakteristika për veprat që do të performohen. Organizatorët shprehen se gjithçka është përgatitur për të evidentuar arritjet dhe vlerat e shkollës “Jordan Misja” për formimin e artistëve të rinj, ndërsa bëjnë të ditur se bëhet fjalë për një punë tepër të madhe, duke veçuar këtu edhe angazhimin e drejtoreshës së Liceut Artistik, Albana Kosovrasti, e cila, sipas tyre, ka punuar maksimalisht për realizimin e koncertit të sotëm dhe aktiviteteve të tjera që do të zhvillohen deri në nëntor për 65-vjetorin e shkollës. Përsa i përket larmisë së aktiviteteve të koncertit të sotëm, organizatorët shpjegojnë se ato do të jenë të shumta, ndërsa premtojnë se bazuar te përgatitja maksimale e nxënësve, këta të fundit ato do t’i falin publikut shumë emocione. Më konkretisht, aktivitetet që do të jenë një refleksion i vërtetë i procesit mësimor që zhvillohet në këtë shkollë, do të përfshijnë një shumëllojshmëri specialitetesh, duke filluar që nga numrat solistik deri te formacionet e mëdha orkestrale si: orkestra simfonike e harqeve, e frymës dhe e korit. Organizatorët pohojnë se ajo që do të prezantohet sot në Akademinë e Arteve është fryt i punës së ndërsjellë të nxënësve dhe pedagogëve, ndërkohë që gjithçka do të realizohet nën drejtimin artistik të Klodi Zhejit, me dirigjentët Bujar Alliu, Besa Kaçinari, Ermira Alliu, Grid Bici si dhe me pjesëmarrjen e Korit dhe Orkestrës Simfonike të liceut artistik “Jordan Misja”. Përveç koncertit, organizatorët bëjnë të ditur se para nisjes së tij, në hollin e Akademisë së Arteve do të çelet edhe ekspozita me punimet e përgatitura nga nxënësit e artit figurativ nën drejtimin e pedagogëve të tyre të Liceut Artistik. Shkolla kombëtare artistike “Jordan Misja” është e vetmja shkollë e profilizuar për përgatitjen bazë të një game të gjerë artistësh, që i nënshtrohen konkurrimit fillestar, nga i gjithë vendi. Ajo është realisht e vetmja shkollë kombëtare, dhe si e tillë duhet të jetë lider në transmetimin e vlerave, në koordinimin dhe promovimin e koncepteve të reja dhe të barasvlerësuar në të gjithë shkollat artistike rajonale, në të gjithë vendin.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›