E Diel, 1 Nëntor 2026

Pallatet pa hipotekë, bllokohen 50 mln euro taksa

SHKRUAN: Sabina Veizaj 23-02-2011 11:04

Ndërtuesit kërkojnë hipotekimin e ndërtimeve dhe rritjen e numrit të lejeve të ndërtimit. Nënkryetari i Shoqatës së Ndërtuesve, Avenir Kika, shprehet se pallatet që kanë marrë lejen e legalizimit, por dhe ato që janë me leje ndërtimi, nuk hipotekohen dot. “Kjo pasi ju kërkohet dy herë një vërtetim nga tatim taksat, ku vërtetohet se ata nuk kanë detyrime të pashlyera. Një herë ju kërkohet kur pranohet dosja dhe herën e dytë në fund, kur dihet se një hipotekim zgjat me muaj dhe mund të krijohen mos shlyerje detyrimesh”, - thotë ai. Duke vazhduar më tej këtë logjikë, ai sqaron se në këtë mënyrë ngrin një kapital prej 50 milionë eurosh. Në të njëjtën kohë, ndërtuesit vërejnë se numri i lejeve të ndërtimit ka rënë në minimum dhe mungojnë planet rregulluese dhe punimet për urbanizimin e zonave. Prandaj është e rëndësishme dhe e domosdoshme miratimi i planit rregullues të Tiranës dhe zhvillimin e mbledhjeve të KRTRSH-ve rregullisht. Ndërsa kjo ndikon që ndërtuesit të punojnë pa leje ndërtimi dhe të kenë fitime dy herë më të larta. Në të njëjtën kohë presin të miratohen në Këshillin e Rregullimit të Territorit planet rregulluese të 12 bashkive të mëdha. Gjithashtu edhe Plani Rregullues i Tiranës është i pamiratuar ende. Miratimi i tyre, sipas Kikës, do të shtojë dhënien e lejeve të ndërtimit dhe mbajtjen nën kontroll të territorit. Pikërisht për këto arsye, mungesë hipoteke dhe leje ndërtimi, tregu imobiliar në vend, sipas ndërtuesve, po përjeton krizë prej më shumë se dy vjetësh. Shitjet e apartamenteve dhe trojeve kanë rënë në masën 25 %, krahasuar me një vit më parë dhe 50 % krahasuar me vitin 2008, kur u ndjenë hapat e para të krizës. Por duke iu referuar edhe Bankës së Shqipërisë, kriza në këtë sektor ka marrë hov që në 2008. Duke iu referuar deklarimeve zyrtare nga shoqata e ndërtuesve në atë vit, rezultonte se nga 600 shoqëri, nuk është bërë asnjë xhiro, nga rreth 2500 firma ndërtimi të regjistruara në shkallë vendi. Sektori i ndërtimit ka vuajtur mungesën e likuiditeteve dhe të financimeve, për shkak të rënies së kreditimit bankar të ekonomisë, si dhe rënies së remintancave të emigranteve, si burim i rëndësishëm financimi për tregun shqiptar të ndërtimit. Nga ana tjetër, shtyrja e hyrjes në fuqi të ligjit të ri për Planifikimin e Territorit në Republikën e Shqipërisë, për më 30 qershor të vitit 2011, ndihmon ndërtuesit, privatët dhe administratën qendrore. Kjo shpjegohet nga ndërtuesit se implementimi i ligjit të ri do të kishte kosto, ndërsa tani do të përdoren rregulloret model dhe uniforme, por mbi të gjitha, sipas tyre, e domosdoshme është hartimi i plotë i planeve rregulluese, kombëtare apo lokale qofshin. Kjo, pasi, pa një plan rregullues kombëtar apo lokal, nuk mund të ndërtohen as rrugë të reja, as kanalizime, etj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›