E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lotaria Amerikane, si do të njoftohen fituesit

Mashtrimi me lotarinë e vizave të shumëllojshmërisë (Lotarinë Amerikane) ka bërë që Ambasada Amerikane të paralajmërojë aplikuesit që të mos bien pre e tyre. Kështu, nëse ju keni marrë një postë elektronike (e-mail), që ju njofton se aplikimi juaj për programin e Lotarisë Amerikane ishte fitues dhe në mënyrë që të vazhdoni me aplikimin tuaj, ju duhet të dërgoni një shumë të hollash (para) në emër të një personi, ju jeni viktimë e një mashtrimi. Ambasada sqaron se vitet e shkuara, aplikantët fitues njoftoheshin nga Departamenti i Shtetit, Qendra Konsullore në Kentucky (QKK) me anë të postës, jo me e-mail dhe të përzgjedhurve u jepeshin udhëzimet, se si të vazhdonin në hapat e mëtejshëm të procesit. Ndërkohë, që QKK-ja nuk ju kërkon juve t’u dërgoni para (të holla) atyre, Ambasadës Amerikane, apo ndonjë ambasade tjetër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) me postë apo nëpërmjet shërbimeve si Uestern Union. Për këtë arsye, Ambasada Amerikane sqaron se “për ata që kanë aplikuar për DV-2012, njoftimi zyrtar i përzgjedhjes do të kryhet drejtpërdrejt nëpërmjet Kontrollit të Statusit të Aplikimit (Entry Status Check), i cili do të jetë në përdorim duke filluar nga data 1 maj 2011 në faqen e E-DV-së në http://www.dvlottery.state.gov/”. Kjo është e vetmja mënyrë me të cilën ju do të merrni njoftim të statusit të aplikimit tuaj. Nëse ju merrni një njoftim me anë të postës elektronike, apo me postë rreth përzgjedhjes suaj në lotarinë E-DV, duhet të dini që ky njoftim nuk është i ligjshëm. “Vetëm pasi ju të jeni përzgjedhur, pasi t’u jeni përgjigjur udhëzimeve të njoftimit, të mundësuar për ju nëpërmjet kontrollit të statusit të aplikimit, si dhe pasi të ketë filluar procesimi i rastit tuaj, vetëm atëherë ju mund të merrni në vazhdim e-maile komunikimi nga QKK-ja, që ju njofton juve të shikoni kontrollin e statusit të aplikimit për informacione të reja rreth aplikimit tuaj”, - thuhet në njoftimin zyrtar të Ambasadës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›