Ndizet alarmi për rrezikun, 6 zonat e nxehta në Tiranë
Mbetjet urbane po kërcënojnë shëndetin e të gjithë banorëve të kryeqytetit, që renditet në krye të listës, përsa i përket plehrave që prodhon çdo ditë. Sipas shifrave të publikuara nga një studim i ekspertëve të Bashkimit Europian, mbi 1 milion qytetarë në Tiranë shkaktojnë rreth 700 ton mbetje në ditë. Raporti 132 faqesh, që është përgatitur nga një grup projektuesish të huaj, nën iniciativën e financuar nga Bashkimi Europian CARDS 2006, për qeverinë shqiptare, evidenton se zona e mbetjeve në kryeqytet ka një popullsi prej rreth 1 milion banorësh, ku rreth 700 mijë jetojnë në rrethin e Tiranës. Sipas specialistëve ndërkombëtar, mbetjet urbane dhe ato inerte nga ndërtimet janë problemet më shqetësuese për Tiranën dhe nëse nuk do të ndërhyhet me një plan masash, situata do të jetë katastrofike. Të njëjtin qëndrim me ekspertët e huaj të mjedisit ka mbajtur edhe ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, i cili, dje, gjatë prezantimit të projektit për menaxhimin e mbetjeve tha se shqetësim janë vendet e grumbullimit, në të cilat duhet të ndërhyhet, pasi teknologjia është shumë e vjetër dhe nuk kanë kapacitete. “Tirana arriti që të rehabilitojë në depozitimin e Sharrës, i cili për shumë kohë ishte kategorizuar si një ndër spotet më të rrezikshme në vendin tonë. Megjithëse i rehabilituar, ky vend depozitimi nuk përmbush të gjitha standardet e kërkuara. Nuk mund të përballojë sasitë e gjeneruara të mbetjeve në Tiranë, nuk mund të krijojë mundësinë e një përpunimi dhe trajtimi të plotë të mbetjeve, duke bërë të pashmangshme nevojën për një depozitim të ri, apo një politikë të re”, - tha Mediu. Në fakt, problemet e ngritura nga kreu i Mjedisit për mbetjet urbane janë mbështetur edhe nga përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës, të cilët kanë kërkuar një koordinim mes strukturave përkatëse. “Bëj një thirrje këtu edhe për strukturat e BE-së, që në kuadër të integrimit drejt BE-së, drejt rajonalizimit të problemeve, përqasjet nga poshtë-lart duhet të marrin një mbështetje të madhe, duke përfshirë këtu një rol të rëndësishëm të qarkut, në koordinimin e marrëdhënieve midis komunave dhe bashkive”, - tha Majlinda Duka, specialiste në Bashkinë e Tiranës. Ekspertët e huaj, përveç landfillit të Sharrës kanë përcaktuar edhe 6 pika të nxehta mjedisore, që përbëjnë rrezik për shëndetin e njerëzve. Këto zona të nxehta mjedisore janë: magazina kimike Albania Film Studio; fabrika e traktorëve Tirana; Ndërmarrja Dajti; Instituti i Shëndetit Publik; fabrika e rigjenerimit të vajit të transformatorëve; fabrika e riparimit të transformatorëve. Sipas raportit të ekspertëve të huaj, shqetësimi më i madh në fushën e menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri nuk është mungesa e legjislacionit (megjithëse ka nevojë për përmirësim dhe përafrim të mëtejshëm), por mungesa e një plani menaxhimi, e kapaciteteve institucionale/ teknike/ njerëzore, e burimeve financiare dhe e infrastrukturës/ investimeve, mungesa e eksperiencës/ traditës në menaxhimin bashkëkohor të këtij sektorin në tërësi etj.