Duhen hequr lypësit nga këmbët e turistëve në Durrës
Së pari, kam mirësinë dhe respektin që t’ju përshëndes. Jam nga Kosova, konkretisht nga qyteti i Gjakovës. T’ju them të drejtën e përditshmja e juaj më ka pëlqyer jashtëzakonisht tej mase ngase keni shumë tituj dhe tema interesante për lexuesin brenda në Shqipëri dhe jashtë saj.
Në Durrës vij që dy herë dhe veç kam fjalë miradije, falënderime e shumë e shumë gjëra tjera që ka arritur ky qytet. Pavarësisht nga aspektet e pastërtisë, mandej ujit që ndoshta ka dhe vështirësi për furnizim, duke marrë parasysh numrin e turistëve dhe harxhimet e kota që bëjnë shumë qytetarë të pandërgjegjshëm, unë kam vetëm fjalë miradije e falënderimi.
Por në mes falënderimit, kisha vetëm nji këshillë, gjë, që ndoshta mua si kosovar dhe turist nuk më takon të flas, por po i jap të drejtë vetes për këtë gjë.
Nji e metë që kishte Durrësi në veçanti, ishin lypësit që nëpër restorante, rrugë e ku tjetër mund t’i gjesh e që bëhen dhe nji ngarkesë për turistët. Nuk është fjala për ne shqiptarët ngase të gjithë e dimë se në çfarë kushtesh jemi, por pak nga pak, më në fund, Shqipëria do të përparojë e do të bëhet MARGARITAR, ndaj është fjala për turistët e huaj, ata anglezë, francezë, maqedonas, italianë. Me lypësit nëpër këmbë, atyre u jepet nji pamje e zymtë e qytetit PERLË bregdetar, Durrësit.
Që mos të marr shumë hapësirë, ju kisha falënderuar dhe do të jem lexues i rregullt i të përditshmes suaj.
Do të ishte mirë që të bëhet dhe ndonji marrëveshje që gazetat shqiptare të depërtojnë dhe në Kosovë.
Me respekt për stafin e Juaj, Agim Dushi