Grabitja e një turisti në Vlorë dhe diletantizmi i policisë
SHËNIM I REDAKTORIT: Artikulli i mëposhtëm na është dërguar nga lexuese Ariana Hasani dhe tregon një ngjarje reale, të rëndë për të gjithë ata që dinë të mendojnë në mënyrë qytetare. Më e rënda, nuk mbetet vetë ngjarja, por mungesa e reagimit të organeve të rendit.
Me sytë e përlotur, para se të nisej për në Sarajevën e largët, kushëriri ynë, i cili kishte ardhur të kalonte pushimet pranë bregdetit të Vlorës, na tha: “Nuk e di nëse do të mund të vij më ndonjëherë në Shqiperi...”.
Këto fjalë të thëna nga një njëri kushdo, ndofta dhe nuk të bëjnë përshtypje, por të nxjerra nga goja e një njeriu, punonjës i administratës së OSBE-së në Bosnje, i cili deri në ato momente ushqente një ndjenjë të papërshkruar dot me fjalë për Shqipërinë, për ne ishin shumë të rënda. Deri disa momente më parë, ai vazhdonte të fotografonte pamjet piktoreske të bregdetit të Jugut, kënaqej me çdo gjë që përparonte në vendin tonë, i pëlqente dashamirësia e pafund e shqiptarëve e qeshte me kënaqësi pafund kur në lokal, kafenë e ujin e mëngjesit arrinte t’i porosiste në gjuhën shqipe.
Qysh me herën e parë që kishte ardhur, në vitin 2006, ai e vizitoi edhe disa herë të tjera Shqipërinë e për çdo herë përgatiste video e albume fotosh nga vendi ynë, të cilat ua dërgonte si suvenire shokëve, punonjës të OSBE-së në Bosnje. E për të vërtetuar këtë ai kishte sjellë edhe shokë për të parë Tiranën, të cilët nuk e fshihnin aspak çudinë për kryeqytetin që shikonin, kundrejt atyre që kishin lexuar për vendin tonë në internet.
Por të gjitha këto, u shkërmoqën para syve të tij brenda një nate, kur në apartamentin buzë detit ku flinte në Vlorë, hyjnë natën nga dera e ballkonit, të pajisur edhe me thikë, dhe grabisin të gjitha sendet e tij personale dhe të bashkëshortes së tij të bukur, Amirës. Grabitësit, duke marrë me vete çelësat e makinës (të cilat grabitësit i kishin rënë rastësisht rrugës), dokumentet e makinës, pasaportat, kartat e kreditit, navigator, unazë, celularët, e tjerë, kishin marrë me vete edhe të gjitha ato kujtimet e bukura që ky njeri kishte nga Shqipëria. Qysh në këtë moment, gjithçka dukej e zezë.
Edhe unë bashkohem me mendimin tuaj, lexues, që tani po thoni me vete: “Eh…, po vjedhje ndodhin në të gjithë botën, në Amerikë, Francë, Turqi, e tjerë”. Por këtu fillon ajo pjesë ku të gjithë ngelëm të zhgënjyer: te puna e policisë, tek diletantizmi, mungesa e profesionalizmit, dhe më vjen keq, por do ta them: “tek korruptimi i saj”.
Në çdo lëvizje apo veprim që bënë personat, policë a operativë (nuk arritëm të kuptonin se çfarë ishin) të cilët erdhën të njoftuar, ishte të mbyllnin me çdo kusht këtë ngjarje, paçka se kishte njerëz të dëmtuar nga kjo grabitje dhe paçka se një javë më parë ishte grabitur një çift kosovarësh shumë pranë banesës tonë. Megjithëse denoncuam, dhamë edhe sende të cilat grabitësi pa dashje i kish hedhur rrotull, gjurmë, fakte e tjerë, për ata s’kishte asgjë rëndësi, për ata nuk kishte asgjë që të bënte përshtypje ebile, në fund, të gjithë ne ishim fajtorët se përse i shqetësuam në një ditë pushimi!
E, megjithëse denoncuam, letrat u firmosën e u vulosën në Komisariatin e Policisë së Vlorës, si për ironi, të nesërmen në raportimin që i bëhet Ministrisë së Rendit nga Vlora, raportohej një natë e qetë dhe pa asnjë problem, pra, gjithë denoncimi i këtij punonjësi të OSBE-së (i cili i sigurtë kishte ardhur si një vizitor i thjeshtë, me makinën e tij personale, pa ndonjë logo të organizatës për të cilën punon) ishte hedhur diku në një kosh plehrash. E, sigurisht, Ministria krenohet në raportime, që në bregdet turistët po pushojnë të qetë e pa incidente.
Sa turp!...Vërtet e turpshme, të heshtësh për një ngjarje të tillë, kur mendon se vetëm një ditë me pas, disa gazeta njoftonin si ngjarje të shëmtuar (dhe vërtetë e tillë është) që një këngëtari të njohur, në një lokal i kishin vjedhur celularin!!!).
Nuk them që kjo ngjarje duhet bërë publike në gazetë, por asnjeri nga ne nuk do të lejonte që kjo të fshihej fare nga ditarët e policisë.
Ndofta shuma që i është grabitur kushëririt tim është më e madhe se ajo e Bankës e cila u vodh në autostradë. Atëherë përse duhet të anashkalohet? Përse një shtetas i huaj i cili vjen këtu me mendimin se mbrohet nga Shteti Shqiptar, të trajtohet në mënyrë të tillë???!!!
Kushedi sa ngjarje të tilla ndodhin, të cilat nuk evidentohen, pasi nuk gjejnë derë ku të trokasin, e kjo patjetër do të ndikojë tek ata për të ardhur herë të tjera për të shijuar Shqipërinë.
Pasi u rropat ambasadave e rajoneve të policisë, për të siguruar dokumentacionin e nevojshëm që e lejonin atë e bashkëshorten të kalonin kufirin, kushëriri im sot u nis. Nuk e di akoma nëse ka mundur të kalojë pa probleme, nuk e di akoma nëse ka patur probleme të tjera rrugës, por për një gjë jam e sigurt: Kujtimet e tij të bukura nga Shqipëria i janë fshirë të gjitha nga memoria. E, në mend më vijnë vazhdimisht fjalët e tij, me të cilat dua ta mbyll letrën: “Shqipëria ka njerëz të mrekullueshëm që po përpiqen çdo ditë për të, por krahas të gjitha përparimeve, duhet të punoni për policinë pasi është tepër diletante dhe pa profesionalizëm”. Ai nuk foli më tej, por ndofta mendoi edhe ai si unë: “dhe tepër e korruptuar!...”.