Universitetet italiane, legalizimi i dokumenteve dhe tarifat
Studentët duhet të bëjnë dorëzimin e dokumenteve në agjenci postare, dhe jo duke u paraqitur në ambasadë
Ambasada Italiane në Tiranë u kujton të gjithë studentëve të regjistruar, apo në fazë regjistrimi pranë Universiteteve italiane, se studentët e huaj që nuk i përkasin Bashkimit Evropian mund të kenë akses njëlloj si studentët italianë, në shërbime dhe përfitime për të drejtën e studimit, qoftë bursa studimi, përjashtim të plotë apo të pjesshëm nga pagesa e taksave dhe kontributeve universitare, etj. Mbështetur mbi njoftimin e dalë nga Ambasada Italiane, studentët e regjistruar apo në fazë regjistrimi pranë universiteteve italiane, që duan të legalizojnë dokumentet për të fituar bursa studimi apo përjashtime nga taksat dhe kontributet universitare, mund të paraqesin, si zakonisht, pranë agjencisë më të afërt të korrierit të Union Ekspresit (Union Net - Western Union) dokumentacionin për t’u legalizuar. Agjencia do të përcjellë dokumentacionin në Ambasadë dhe do t’ia kthejë të interesuarit pasi të jetë legalizuar. Ambasada Italiane ka bërë të ditur për studentët se nuk është e nevojshme që këta të fundit të paraqiten personalisht në ambasadë. Ajo kujton se për studentët e regjistruar është e detyrueshme t’u bashkëngjisin dokumenteve për legalizim vërtetimin e regjistrimit në universitet për vitin akademik 2007-2008. Për të gjithë studentët me banim në Tiranë, shërbimi kushton 250 lekë; për pjesën tjetër të juridiksionit konsullor, tarifa është 400 lekë. Për të njohur zyrën e Union Ekspres më të afërt me banesën, studentët mund të kontaktojnë në numrat e telefonit 04 2242813 dhe 04 2263407. Pasi të mbërrijnë në Itali, studentët mund të paraqesin dokumentacionin e legalizuar në zyrat kompetente të universitetit italian pranë të cilit janë regjistruar, për të përfituar nga shërbimet dhe ndërhyrjet për të drejtat e studimit si bursa studimi, përjashtim të plotë apo të pjesshëm nga pagesa e taksave dhe kontributeve universitare, etj.