E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libri i Transparencës, në fund të gushtit

Pushimet shkollore shtyjnë për në fund të muajit publikimin në shkolla të Librit të Transparencës

Kandidatët për studentë, do të kenë 6 ditë kohë për t’u ankuar në rast të llogaritjes gabim të pikëve

Stina e verës ka përgjumur korridoret e shkollave, por jo maturantët, të cilët pas disa ditëve të mira pushime përgatiten të mësojnë se cili do të jetë drejtimi që do të marrin në jetë. Një muaj nga përfundimi i provimeve të Maturës Shtetërore, ata presin të njihen me pikët e llogaritura në mënyrë zyrtare, për të pasur më tej panoramë të qartë, të degës ku ata kanë mundësi më shumë për të fituar. Ankthit të maturantëve u janë shtuar edhe prindërit, të cilët ndjejnë se edhe ata vetë janë të përfshirë në ethet e studimeve. Sytë fillimisht janë kthyer nga llogaritja e pikëve të fituara, të cilat do të bëjnë edhe shpërndarjen e maturantëve sipas sistemit Meritë-Preferencë në degët që ata kanë zgjedhur në Formularin A2. Deri më tani, Ministria e Arsimit nuk ka dalë me njoftim zyrtar për të mësuar datën e saktë se kur do të nisë shpërndarja e Librit të Transparencës, buletin në të cilin janë të llogaritur pikët e fituara në katër provimet e Maturës Shtetërore (D1, D2, Z1, Z2) si edhe nota mesatare e shkollës së mesme shumëzuar me koeficientin e vendosur nga fakultetet. Me përfundimin e provimeve të Maturës, drejtori i Agjencisë së Pranimeve në Institucionet e Arsimit të Lartë (APRIAL), Frederik Shalsi, u shpreh në daljen e tij në publik, se Libri i Transparencës parashikohet të shpërndahet në shkollat e mesme në mesin e muajit gusht, pa shprehur një datë të saktë. Tashmë mësohet, ende në rrugë jozyrtare, se libri ku janë të listuar emrat e rreth 20 mijë maturantëve do të jetë gati në ditët e fundit të gushtit. Burime pranë Drejtorisë Arsimore janë shprehur se ky vendim është marrë për shkak të pushimeve shkollore. Për të bërë ankimimin mbi pikët, maturantët që konstatojnë gabime në llogaritje, do të kenë në dispozicion 6 ditë kohë, nga dita e publikimit të Librit të Transparencës. Për të kryer një veprim të tillë, maturantët-kandidatë për në universitetet, duhet të paraqesin kërkesë me shkrim pranë shkollës së mesme, ku të ngrenë pretendimin e tyre. Pas marrjes së kërkesës për rishikim të pikëve, drejtoritë e shkollave të mesme përcjellin pretendimin në Drejtoritë Arsimore Rajonale përkatëse dhe këto të fundit në APRIAL, i cili bën edhe vlerësimin nëse ka ose jo gabime në llogaritje. Përllogaritja e pikëve, sikurse është bërë e njohur do të bëhet nga Agjencia e Pranimit në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik, në bazë të sistemit Meritë-Preferencë. Me publikimin e Librit të Transparencës, radhën e ka faza e parë e përzgjedhjes së studentëve. Megjithëse nuk është e konfirmuar zyrtarisht, thuhet se data e parë kur do të nisë shpërndarja e studentëve në degët e studimit është data 10 shtator. Lista do të publikohen nëpër shkolla, nëpërmjet Drejtorive Arsimore Rajonale dhe Zonale. Njëkohësisht, listat e fituesve të fazës së parë do t’i jepen edhe të gjithë IAL-të. Sikurse është theksuar dhe në fletëpalosjen që iu është shpërndarë maturantëve ditën e provimeve me zgjedhje, për secilin fitues, është e detyrueshme të regjistrohet në programin e studimit ku është shpallur fitues në fazën e parë. Kjo për arsye të verifikimit të kandidatëve që do të largohen jashtë vendit për studime, që merret nga mosregjistrimi i tyre në programet e studimit ku ata janë shpallur fitues. Pasi këta kandidatë që nuk janë regjistruar “hiqen” nga baza e të dhënave, ribëhet përcaktimi i fituesve në fazën e dytë. Listat e fituesve u dërgohen fakulteteve dhe realizohet regjistrimi përfundimtar.

---------------------------------Reagimi

PS: “MASH gënjen për tekstet, libraritë janë bosh”

Mungesa e teksteve shkollore në librari, është cilësuar si e pafalshme nga Partia Socialiste. Ledi Shamku, kryetare e Komisionit të Edukimit në PSSH, është shprehur në komunikatën për shtyp se, ministri i ri i Arsimit filloi avazin e vjetër, shakanë tashmë bajate me familjet shqiptare, lidhur me shpërndarjen e librit shkollor. “Ministri i ri, në prezantimin e tij të parë, nxiti prindër e nxënës të rendin nëpër librari, pasi tekstet shkollore për këtë vit, sipas tij, do t’i gjenin aty qysh më 1 Gusht. Por tani jemi në mes të gushtit dhe tekste nuk ka. Të nxitur nga Ministri i ri, librarët mundohen të kontaktojnë me botuesit, e këta të fundit, thonë se shtypja e librave nuk ka mbaruar ende, duke hamendur se nga fillimi i shtatorit, librat e shumëpritur do të jenë gati. Pingpongu me prindër e nxënës vazhdon, e sakaq Ministria e Arsimit është hequr mënjanë dhe e hutuar tani, hesht. Asnjë deklaratë, asnjë afat, e natyrisht asnjë ndjesë”,- ka pohuar shqetësimin, kryetarja e Komisionit të Edukimit në Partinë Socialiste, duke shprehur më tej shqetësimin se edhe këtë vit do të përsëriten radhët e gjata e të mundimshme nëpër librari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›