Godo: Nuk do luftoj dypunësimin por korrupsionin e tenderava
Dypunësimi i mjekëve për mua nuk është i rrezikshëm, ndaj dhe nuk kam pse e shoh si korrupsion në shëndetësi. Duke pranuar se është ndër të vetmet shefe shërbimi që nuk ka qenë e dypunësuar, ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo pohon për gazetën se nuk i paragjykon ish-kolegët e saj që janë të dypunësuar. Korrupsionin më të madh, kreu i Shëndetësisë, Godo, tashmë e shikon te procesi i tenderimeve dhe prokurimeve për shërbime të ndryshme. Ndërkohë, ajo thekson se nuk do të tolerojë shkeljen e ligjeve që përcaktojnë marrëdhëniet e sektorit privat e atij shtetëror.
Dypunësimi
Ndryshe nga ish-ministrat e Shëndetësisë, Maksim Cikuli dhe Nard Ndoka, që iu shpallën luftë të hapur shefave të shërbimeve të dypunësuar, Anila Godo nuk ka ndërmend ta fillojë reformën në shëndetësi duke luftuar dypunësim pasi problemet e shëndetësisë, sipas saj, nuk lidhen me këtë fenomen. Duke pranuar se ish-kolegët e saj shefa shërbimi janë të dypunësuar, Godo, jo vetëm që nuk i paragjykon, por edhe i justifikon ata. “Jam ndër shefet e pakta të shërbimit që nuk kam qenë e dypunësuar. Kjo për faktin se shërbimi që mbuloj ka patur shumë probleme dhe se ato 2-3 orë të lira që i kam patur pasditeve, kam preferuar t’i kaloj duke u çlodhur me familjen time”,- pohon Godo duke shtuar se ne nuk jemi vend i pasur dhe nëse dikush pasdite a në mbrëmje, në vend që të shëtiste zgjedh të punojë për t’u ofruar fëmijëve një jetë më të mirë, nuk ka përse e paragjykon.
Tenderat
Korrupsioni i vërtetë nuk bëhet nga bluzat e bardha që iu shërbejnë pacientëve, problemi duhet parë diku tjetër, ku luhen miliona e miliarda para. Kështu u shpreh ministrja Godo duke theksuar se do t’u shpallë luftë korrupsionit që luhet me tendera e prokurime. “Ajo që duhet të jetë një shqetësim i vërtetë për të gjithë ne, janë aferat korruptive që lëvizin nën ujë e që kanë të bëjnë me procedurat e tenderimit, prokurimit etj. Them se duhet të përqendrohen fort përpjekjet tona për të luftuar korrupsionin në shëndetësi dhe këto duhet të fillojnë pikërisht nga këto afera, ku në emër të projekteve në shëndetësi, mund të jetë abuzuar me miliona lekë”,- pohon Godo. Ndërkohë vetëm një ditë më parë, drejtori i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Mati Pepa, bëri të ditur për gazetën, projektin e tij më të fundit për të privatizuar shërbimin e sanitareve. Por duket se ministrja Godo pikërisht këto procedura dhe të tjera do t’i ketë nën kontroll të rreptë, për të cilat thekson se do të kërkojë zbatimin e ligjit.
------------------------------------------------------Ministrja Godo pranon se kanë vetëshpallur gjendje emergjence për mangësitë e banave në spitale
Godo- grosistëve: Zbatoni kontratat për barnat
Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo u ka kërkuar dje grosistëve zbatimin e kontratave për furnizimin e spitaleve me barna. Sipas këtij dikasteri, procedurat e prokurimit kanë përfunduar për 104 nga 183 medikamente për nevojat spitalore, me një fond limit prej 845 568 000 lekë. “Nisur nga numri i kompanive që i kanë regjistruar këto medikamente për qarkullim në territorin e Shqipërisë, 88 medikamente me një fond prej 489 080 200 lekë u prokuruan me procedurën "Me negocim, pa shpallje të njoftimit", pasi rezultonin të regjistruara nga një kompani e vetme dhe nuk arrihet konkurrenca për të përdorur procedurat e hapura të prokurimit”,- u bë e ditur nga Ministria e Shëndetësisë. Ndërkohë ministrja Godo pohon se asnjëherë nuk kanë qenë tërësisht të kënaqur me furnizimin dhe se protokollet e unifikuara të trajtimit që ofrohen nga shërbimet tona, shpesh janë të niveleve më të mira të kohës, por kanë një kosto që tejkalon mundësitë buxhetore. “Por këtë vit në veçanti kemi qenë “zbuluar” pothuaj gjatë tërë vitit, për pjesën më të madhe të medikamenteve. Vit vërtetë i vështirë. Aktualisht jemi duke u përpjekur fort për të shtyrë e shpejtuar në maksimum prokurimet, etj.”,- pohon Godo, duke shtuar se kanë vetëshpallur një gjendje emergjence dhe falënderon bashkëpunëtorët për impenjimin maksimal. Ndërkohë ajo thekson se ka besim që vjeshta do të sjellë një situatë më të mirë. “Më pas do fillojmë në kohë procedurat përkatëse për vitin e ardhshëm. Do diskutojmë nëse do duhet të propozojmë ndryshime në ligjet prokuruese”,- pohon Godo.