E Diel, 1 Nëntor 2026

Duhet ndalur pushtimi i sheshit nga Edvini. Pezullohen punimet

Ministria e Mjedisit dhe ajo e Kulturës kanë reaguar dje ndaj fadromave që po përdhosin Sheshin “Skënderbej”, duke e shpallur të paligjshëm pushtimin e tij nga mjetet shkatërruese të bashkisë. Aksioni i Edvinit cilësohet si katastrofë kulturore e mjedisore, ndërkohë që pritet të nisë faza e çlirimit të qendrës së Tiranës nga mbetjet e lëna prej kalecëve të bashkisë

Ekzekutohet menjëherë urdhri i Ministrisë së Mjedisit për të pezulluar punimet e Bashkisë së Tiranës në sheshin “Skënderbej”, në qendër të kryeqytetit.
Përmes një vendimi të firmosur nga Ministri i Mjedisit Fatmir Mediu, urdhërohet pezullimi i menjëhershëm i punimeve në sheshin “Skënderbej” për shkak të mungesës së lejes mjedisore.
“Kjo veprimtari në bazë të ligjit për mbrojtjen e mjedisit duhet të pajiset me një leje mjedisi, por aktualisht është pa leje mjedisi”, tha zëdhënësi për shtyp në Ministrinë e Mjedisit.
Në shkresën e Ministrisë së Mjedisit, thuhet se Bashkia e Tiranës është gjobitur në vlerën e 20 milionë lekëve të vjetra për këtë kundërvajtje.
Inspektorët e këtij dikasteri kanë nisur edhe inspektimin në shesh, ndërkohë që gjatë ditës së sotme pritet ndërprerja e plotë e punimeve në sheshin “Skënderbej”. Tentativat e Bashkisë së Tiranës, për t’i bërë ballë reagimit zyrtar të institucioneve shtetërore dhe atyre të zbatimit të ligjit pritet të marrë formën zyrtare pas përfundimit të inspektimit të ekspertëve të Ministrisë së Mjedisit. Pak ditë më parë edhe Ministri i Transporteve Sokol Olldashi i kërkoi Edi Ramës të ndalë punimet në sheshin “Skënderbej”, pasi më parë, duhet të dorëzojnë në Këshillin e Rregullimit të Territorit, ndryshimet në planin francez dhe vazhdimin e atij belg.

Shkelja e VKM-së që e shpall sheshin “Skëndërbej” monument kulture

Punimet që po kryhen në sheshin “Skënderbej” nga kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama janë të paligjshme pasi bien në kundërshtim me një vendim qeverie që vetë Rama ka iniciuar kur ai ishte ministër i Kulturës.
Deklarata u bë dje pak para mesdite nga Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj gjatë një konferencë për shtyp, mbi ndërhyrjen e Bashkisë së Tiranës në sheshin “Skënderbej”.
Xhaferaj tha se mbështetur VKM Nr. 180 datë 13. 04. 2000 “Për shpalljen ansambël monument-kulture të aksit kryesor dhe qendrës historike të qytetit të Tiranës”, dhe Ligjit nr. 9048 datë 07. 04. 2003 “Për trashëgiminë Kulturore” (i ndryshuar), procedura e ndjekur nga Bashkia Tiranë ka mangësi të theksuara dhe fillimi i punimeve prej saj është në kundërshtim me ligjin.
Ministri ka bërë një kronologji të shkurtër të korrespondencës të institucioneve të MTKRS dhe Bashkisë Tiranë në lidhje me këtë çështje si dhe të vendimit të marrë për këtë qëllim. Bashkia Tiranë i ka kërkuar Institutit të Monumenteve të Kulturës (IMK) miratimin e projekt-idesë fituese për rehabilitimin e sheshit “Skënderbej” (shkresa e Bashkisë Tiranë datë 23. 05. 2008, nr. 5014 prot). Në mbledhjen e datës 20.11.2008, Këshilli Kombëtar i Restaurimit (KKR) i mbledhur pranë MTKRS vendosi kufizime dhe ndryshime në këtë projekt (Vendim Nr. 15, datë 20.11.2008, nr. 156 Prot., datë 25. 11. 2008). Me shkresën Nr. 160 Prot., datë 26.11.2008, të Institutit të Monumenteve të Kulturës, është informuar Bashkia Tiranë në lidhje me kushtet e miratimit të projektit. Ndryshimet e kërkuara janë: Të mos lejohet ndërtimi i 2 ndërtesave përkatësisht në aksin e Bulevardit Zogu I, dhe midis Muzeut Kombëtar dhe Bankës së Shqipërisë. Pendenca e sheshit të propozuar (pjerrësia) të mos kalojë 1 për qind. Sakaq, Bashkia Tiranë me shkresën e datës 27. 04. 2009, Nr. 3888 Prot., i kërkon Institutit të Monumenteve njohjen e vendimit të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Restaurimit të datës 20. 11. 2008. Me shkresën e tij Nr. 68 Prot., datë 08. 05. 2009, Instituti i Monumenteve të Kulturës i ka kthyer përgjigje Bashkisë së Tiranës dhe pasi i ridërgon materialin, i kërkon 3 kopje të projektit me ndryshimet e reflektuara. Prej këtij momenti nuk ka asnjë përgjigje nga Bashkia Tiranë.
“Konkludoj se për sa kohë, nuk ka një zbardhje të projektit të miratuar me ndryshimet e kërkuara nga ana e Këshillit Kombëtar të Restaurimit, projekti që po zbatohet në sheshin ‘Skënderbej’, nuk ka asnjë bazë ligjore dhe është në kundërshtim me procedurat në fuqi”, deklaroi Xhaferaj.
Duke përfunduar ai theksoi se në zbatim të VKM Nr. 180, ( që shpall aksin kryesor dhe qendrën historike si ansambël monument kulture ) dhe Ligjit Nr. 9048 datë 07. 04. 2003 “Për trashëgiminë Kulturore” (i ndryshuar), çdo vendim i marrë nga këshillat e rregullimit të territoreve për ndërhyrje ose ndërtim në zonat e shpallura monument kulture ose në zonën e mbrojtur pranë një monumenti kulture, pavarësisht nga pronësia, është i pavlefshëm.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›