Përkujtohet 100 vjetori i Besëlidhjes Shqiptare të Deçanit
është shënuar dhe përkujtuar të shtunën “100 vjetori i Kuvendit të Isniqit”, të Deçanit. Ky përvjetor i historisë sonë kombëtare kishte bashkuar autoritete të Qeverisë së Kosovës, partive politike, kryetar komunash të Dukagjinit, të Malësisë së Gjakovës, Plavës dhe të Gucisë, të Rozhajës, punëtorë shkencorë të Institutit të Historisë, pjesëtar të familjes së Heroit tonë Kombëtar Isa Boletini e shumë qytetarë. Akademinë kushtuar këtij jubile e ka hapur Rasim Selmanaj, kryetar i Komunës së Deçanit, i cili në fjalën e tij ka përkujtuar përpjekjet për liri të të gjithë brezave, duke nënvizuar se “kurorë e të gjitha këtyre përpjekjeve ishte lufta e shenjtë që solli lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.
Ndërkohë nga tezat dhe kumtesat që janë lexuar për kontributin e Isniqit në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare është thënë se Kuvendi i Parë, që u mbajt në Isniq në fillim të muajit prill të vitit 1910, ishte dhe mbetet njëra nga ngjarjet me të rëndësishme të Lëvizjes sonë për çlirimin kombëtarë, Kuvend burrash, të luftës për liri dhe identitet kombëtar. Kuvendi i një shekulli më parë solli Besëlidhjen Shqiptare “Verrat e Llukës. Në emër të Qeverisë së Kosovës, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se “datat si kjo na rikthejnë kujtesën në vlerat e madha të historisë”. Ndërsa, duke folur për rëndësinë e këtij jubileu, ai ka cituar fjalët e Isa Boletinit para 100 vjetëve, kur kishte thënë “ndihem mirë kur Shqipnia është mirë”. Kuçi ka shtuar se tani po ndihet mirë Shqipëria, Kosova dhe mbarë shqiptaria, kurse Kuvendin e Isniqit e ka quajtur “Kuvend burrash, të luftës për liri dhe identitet kombëtar”. Në kumtesën e tij të gjatë lidhur më rëndësinë e “Kuvendit të Isniqit”, Frashër Demaj ka folur në emër të organizatorit të kësaj akademie, Institutit të Historisë së Kosovës. “Kuvendi i Isniqit, i kishte paraprirë Besëlidhjes shqiptare, prej ku pastaj shpërthyen kryengritjet shqiptare ndaj sundimit osman, që ishte kurorëzuar me pavarësinë e Shqipërisë”. Ai tutje ka përmendur figurat më emblematike të kryengritjeve shqiptare, si Isa Boletini, Idriz Seferi dhe të tjerë, të cilët bashkë me kryengritësit kishin shënuar fitore në shumë beteja. Një kumtesë për ndriçimi e kësaj periudhe e ka lexuar edhe historiani Shkodran Imeraj. Kurse Naim Prelvukaj ka folur në emër të shqiptarëve të Plavës dhe të Gucisë, prej nga ka përcjellë mesazhe të bashkimit të trungut shqiptar, kurse i ka bërë thirrje Kosovës që, siç tha ai, “ta kthejë kokën edhe nga kjo pjesë e shqiptarisë”, kurse Nuredin Ahmeti, kryetar i Komunës së Bajram Currit, ka kërkuar unitet të shqiptarisë sikurse që ishte edhe fryma e kuvendeve dhe e luftërave për liri. Në emër të isniqasve, një artizanale me emblemën e këtij jubileu, i është dhuruar pasardhësit të kësaj familje patriotike, Xhavit Boletinit. Ndërkaq, në vendin ku është mbajtur Kuvendi, njëqind vjet më parë, në Kullën e Osdautajve, është bërë zbulimi i pllakës përkujtimore, nga përfaqësues institucionesh qendrore, komunale dhe të familjes Boletini.